Bankat me principe islame nuk çrregullojnë sistemin bankar

Hapja eventuale e ndonjë banke që nuk llogaritë kamatë në kredi, nuk do të çrregullojë sistemin bankar në Kosovë, vlerësojnë ekspertët. Bankat e tilla, kanë sistem tjetër të llogaritjes së interesit, që nuk quhet kamatë.

Edhe bankat që punojnë me sistem të ashtuquajtur islam, qëllimin e kanë profitin. Por, këtë profit, ato banka nuk e arrijnë me kamata, por nëpërmjet formave tjera, ka thënë për Radio Blue Sky, eksperti i bankave të tilla, Islam Hasani.

“Bankat, të cilat punojnë sipas principeve islame duhet ditur se nuk janë shoqata humanitare dhe nuk punojnë pa fitim, pra edhe ato punojnë për fitim, por jo duke ngarkuar kamatë mbi kredi të lejuara”, tha Hasani.

Bankat me principe islame, fitimin e realizojnë me financim tregtar, përkatësisht me bashkë-investime dhe shërbime, thotë Hasani. Ai beson se hapja e një banke të tillë në tregun kosovar do të ndikonte në uljen e kamatave.

Mirëpo, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Gani Gërguri, vlerëson se çdo bankë e re në Kosovë, mund të ndikojë në uljen e kamatave.

“Kjo pyetje është hipotetike, çdo bankë e re mund të sjellë produkte të reja, mund të ndikojë pozitivisht në uljen e kamatave, mirëpo, normal edhe bankingu islam bazohet në koston e ndërmjetësimit financiar, mirëpo ata në vend të emrit kamatë, e kanë një emër tjetër, kështu që edhe aty çdo kush e din se nuk ka ndërmjetësim financiar gratis”, thotë Gërguri.

Gërguri thotë se ligji i ri për bankat që ka hyrë në fuqi në gjysmën e parë të këtij viti, lejon hapjen e bankave me principe islame. Guvernatori shprehet i sigurt se një bankë e tillë, nuk do të krijonte çrregullime në sistem.

“Nën supozimin se do të jetë ndonjë bankë në të ardhmen, ajo normal se nuk do të ndikonte asgjë në tregun bankar në kuptimin negativ, sepse do të zbatoheshin të njëjtat parime, të cilat ne i zbatojmë sa i përket mbikëqyrjes për të gjitha bankat komerciale”, tha guvernatori.

Në fillim të muajit të kaluar, zyrtarët e Bank Asja që punon me princip islam, ishin takuar me zyrtarët e BQK-së, për t’u informuar për kushtet e operimit në Kosovë.kohaislame

Artikulli paraprakNjë i ri serb dhunon plakën 83-vjeçare
Artikulli vijuesQeveria funksionon, s’ka nevojë për AAK-në!