Barrikadat mbesin problem në veri

Gjendja e sigurisë në Mitrovicë në dy javët e fundit ka qenë më e qetë, por problem mbeten barrikadat e vendosura nga serbët në rrugët e veriut. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, theksoi se javëve të fundit situata ka qenë më e qetë, por vazhdon të jetë e brishtë. Ai falënderoi strukturat e sigurisë, të cilat kanë qenë shumë më aktive kohëve të fundit, që është reflektuar edhe në terren.

Ai përmendi si problem barrikadat që kanë mbetur në rrugët e veriut, duke theksuar se ato janë duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe duke e vështirësuar jetën e tyre.

“Strukturat e sigurisë, sidomos KFOR-i duhet të veprojë dhe t’i largojë barrikadat”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se shqetësuese vazhdojnë të jenë të shtënat me armë si në veri ashtu edhe në jug të qytetit nëpër dasma dhe ahengje.

“Është një dukuri që duhet të luftohet në mënyrë të koordinuar”, tha Bala.kohaislame

Artikulli paraprakNormalizohet qarkullimi në pikën e kufitare në Merdarë
Artikulli vijuesMustafa: EULEX, zbardhi vrasjet e pasluftës