Basha: "Për Unazën e Madhe dhe Lumin e Tiranës mora premtime nga Abu Dabi"

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka pritur sot në një takim të veçantë, drejtues të Fondit të Zhvillimit të Abu Dabit. Z. Basha i ka njohur me projektin fitues, të hartuar nga studio arkitekturore “Grimshaw”, për rehabilitimin e Lumit të Tiranës dhe ndërtimin në dy anët e lumit të pjesës veriore të Unazës së Madhe.

Projekti i lumit të Tiranës, që nis nga Ura e Brarit deri tek Ura e Kamzës me gjatësi 6.7 km parashikon pastrimin dhe sistemimin e lumit, ndërtimin e hapësirave të gjelbra dhe zonave rekrative.
Në të dy anët e lumit do të shtrihet Unaza e Madhe, e cila është parashikuar të jetë me 8 korsi. Drejtuesit e Fondit të Abu Dabit kanë shprehur mbështetjen për këtë projekt dhe kanë garantuar Kryebashkiakun Basha për shqyrtimin me përparësi të mundësisë së financimit të këtij projekti, kostoja e të cilit është 114 milionë euro. Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë së Abu Dabit, i pranishëm në këtë takim, ka shprehur interesin e investitorëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për të investuar në realizimin e këtij projekti dhe projekteve të tjera në Tiranë.
/Shekulli Online/M.A./kohaislame

Artikulli paraprakMuslimanët duhet ta njohin fytyrën e vërtetë të tyre
Artikulli vijuesTurqia prodhon motorin e parë kombëtar për avionin pa pilot ANKA