Lulzim Basha thotë se Shqipëria është shndërruar në një zonë të lirë për krimin dhe shton se krimi luftohet vetëm me largimin e Edi Ramës.
Në një konferencë për shtyp, kryetari i PD-së foli për tre elementë, që sipas tij, po zbatohen nga Kryeministri.
“Së pari, mbrojtja politike dhe shmangia nga përgjegjësia e të gjithë bashkëpunëtorëv të tij në afera kriminale. Liria e Saimir Tahirit, dekonspirimi nga vetë policia për arrestimin e krerëve të policisë, janë fakte dhe prova që e konfirmojnë këtë fakt”, tha Basha.
Së dyti, Basha rendit drejtësinë.
“Kapja e sistemit të drejtësisë, në veçanti e organeve të hetimit dhe prokurorisë për të garantuar se në kontrollin e Ramës, këto organe nuk do të nxjerrin krimin para drejtësisë dhe do të mbyllin të gjitha dosjet e krimit”, u shpreh Basha.
Në fund, Basha rendit atë që e quan “manipulim të opinionit publik”.
“Manipulimi i publikut vendas dhe të huaj, ashtu si mbuloi dhe fshehu trafikun masiv të drogës dhe krimit në Shqipëri për 3 vite”, tha ai.
“Por këmbanat po bien për Edi Ramën. Ai e di se po i vjen fundi dhe po bën gjithçka për të vendosur nën kontrollin e tij të plotë edhe sistemin e ri të drejtësisë. Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe”, mbylli fjalën e tij kreu i PD-së.
Top Channel