“Pas tensioneve të disa ditëve të fundit midis Turqisë dhe disa vendeve anëtare të BE-së, duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i problemeve dhe të gjendet një mënyrë për qetësimin e situatës”, thanë komisionerët Mogherini dhe Hahn
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore Johannes Hahn kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë uljen e tensioneve të shkaktuara në ditët e fundit në marrëdhëniet midis Turqisë dhe disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
“Pas tensioneve të disa ditëve të fundit midis Turqisë dhe disa vendeve anëtare të BE-së, duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i problemeve dhe të gjendet një mënyrë për qetësimin e situatës”, thanë komisionerët Mogherini dhe Hahn.
Në deklaratë theksohet se dhënia e lejeve për takime në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian është çështje që u përket vetë shteteve përkatëse në përputhje me normat e zbatueshme ligjore ndërkombëtare dhe në kuadrin e legjislacionit kombëtar.
Bashkimi Evropian i kërkon Turqisë të përmbahet nga retorika radikale dhe veprimeve që mund të çojnë në përkeqësimin e situatës. Çështjet problematike mund të zgjidhen vetëm me dialog të hapur dhe të drejtpërdrejt. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në interes të marrëdhënieve midis BE-së dhe Turqisë”, thuhet në deklaratë.
Duke kujtuar se Komisioni i Venecias në raportin e tij thotë se Turqia është një vend i pavarur edhe sa i përket zbatimit të reformave dhe ndryshimit të sistemit kushtetues, në deklaratën e Mogherinit dhe Hahnit, thuhet se Turqia po kalon nëpër një periudhë të vështirë dhe se Bashkimi Evropian mbështet atë në luftën kundër terrorizmit.
Në deklaratën e përbashkët gjithashtu theksohet se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Turqinë në lidhje me përkujdesin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku.
Kriza diplomatike është evidente që kur Turqia ka nisur fushatën për referendumin në lidhje me ndryshimet kushtetuese të caktuara për 16 prill, pjesë e së cilës janë edhe takimet e zyrtarëve turq me diasporën turke e cila është e shpërndarë në disa vende të BE-së.
Kriza në fjalë u përshkallëzua veçanërisht ditëve të fundit, kur autoritetet holandeze nuk lejuan aterimin e aeroplanit të ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe më pas ndaluan eskortën e ministres të politikave sociale dhe familjes Fatma Betul Sayan Kaya duke pamundësuar hyrjen e saj në ambientet e përfaqësive diplomatike të Turqisë në Roterdam dhe të njëjtën e shoqëruan deri në kufirin e Holandës me Gjermaninë.