Bashkimi Evropian ka siguruar 50 milionë euro ndihmë për Maqedoninë për ballafaqimin me krizën e emigrantëve, njoftoi për Alsat M zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq. Por, në deklaratën me shkrim thuhet se rregullat sipas të cilave Komisioni Evropian transferon para për këtë qëllim janë shumë të ashpra.
“Një çështje e rëndësishme për të cilën autoritetet duhet të jenë të vetëdijshëm është se rregullat rreth asaj se si ne i përdorim paratë e taksapaguesve janë shumë të ashpra. Ne paratë e Bashkimit Evropian nuk i transferojmë direkt në llogaritë e qeverive, por i paguajmë sipas qëllimit, mbështesim apo financojmë logjistikë ose aktivitete bazuar në nevojat e identifikuara”, u shpreh Maja Kocijançiq, zëdhënëse e komisionit evropian.
Në deklaratën me shkrim gjithashtu thuhet se që nga fillimi i krizës së refugjatëve Komisioni Evropian deri më tani ka ndarë 16 milionë euro për Maqedoninë, për përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të kufirit dhe gjendjes së emigrantëve. Nga Komisioni thonë edhe pse kanë pritur gjatë kohë nga autoritetet maqedonase të dërgojnë një vlerësim për nevojat, Komisioni me një masë të veçantë ka siguruar 10 milionë euro që do të përdoren për të përmirësuar kapacitetin e policisë kufitare dhe kostot shtesë që i ka shteti. Ndërkohë në intervistën e djeshme për gazetën gjermane Bild presidenti Gjorge Ivanov e sulmoi ashpër Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë për raportin ndaj vendit tonë dhe krizën e refugjatëve. Ai në intervistë akuzoi se Maqedonia është tradhtuar dhe e braktisur dhe se si zonë transiti vuan pasoja të mëdha të krizës. Ivanov në intervistë kritikoi Gjermaninë prej ku është kërkuar ndihmë në pajisje për marrjen e të dhënave biometrike, për të cilën gjë nuk ka marrë përgjigje.