Kulmi! Në supermarktet e Kosovës shiten lojëra horror për fëmijët (kujdes, pamje të rënda)

Nga Bashkim Kastrati

Ka disa vite që në Kosovë po festohet e ashtuquajtura “nata e shtrigave apo Halloween”. Kjo lloj “feste” nuk është njohur më parë tek qytetarët e Kosovës – edhe nw Shqipwri po ashtu – por në vitet e fundit ka një trend të rritjes së atyre që e festojnë këtë natë, sidomos në zona urbane. E gjithë kjo për të imituar vendet evropiane.

14741795_997188307071033_240366271_n

“Nata e shtrigave” apo siç njihet “Halloween” është një festë e përvitshme të cilën e festojnë një numër shtetesh në botë me datën 31 tetor. Dikur praktikimi i saj kishte të bënte me vizitën në kisha e ndezjen e qirinjve rreth varreve, por sot kjo festë ka marrë një kuptim tjetër. Ajo është shndërruar në pop-kulturë e po ashtu po ju shërben kompanive të ndryshme që prodhojnë kostume që t’i rrisin bizneset e tyre e të përfitojnë.

Në Kosovë, lokalet ka disa javë që kanë sjellë maskat e ndryshme për të cilat më së shumti janë të interesuar fëmijët. Kurse klube të ndryshme të natës kanë dedikuar mbrëmjen e 31 tetorit për festën e maskimit për Halloween.

Kjo tani që po njihet si festë është kundërshtuar vazhdimisht nga imamët dhe praktikantët e fesë, të cilët kanë bërë thirrje të qytetarët e Kosovës, e veçanërisht të besimtarëve të besimit islam që të mos e festojnë këtë natë dhe t’i largojnë fëmijët nga ngjarje të tilla, pasi që kjo lloj feste nuk përkon me fenë islame e as me traditat shqiptare.

Kjo natë më së shumti festohet nga disa të rinj që dalin të maskuar në klubet e natës dhe nga fëmijët të cilët dalin në rrugë për të festuar, atë që e kanë mësuar se është festë dhe duhet veshur në mënyrën më të shëmtuar dhe të bëjnë veprime jo të mira si shenjë e festimit të kësaj feste.

Më shqetësuese është fakti se fëmijët dalin në qytet dhe zakonisht i gjuajnë kalimtarët me vezë, apo ka pasur raste kur kanë thyer dritare apo stacione të autobusëve nëpër qytet. Këto sjellje sipas psikologëve janë shumë shqetësuese, duke marrë parasysh moshën në të cilën po i kryejnë fëmijët duke menduar se po festojnë.

Festimi i kësaj nate ka ndikuar edhe në aspektin komercial, pasi që tash e disa vite shiten maska të frikshme nga më të ndryshmet. Por këto lodra që këto ditë janë sjellë në supermarketet e Prishtinës janë shumë shqetësuese.

Këto lodra ngjajnë në duar dhe këmbë të njerëzve të prera dhe kanë pamje si të gjakosura dhe të japin përshtypjen se kemi të bëjmë me ndonjë masakrim të njeriut. Fatkeqësisht lodra të tilla janë në shitje dhe mund të tërheqin vëmendjen e fëmijëve për t’i blerë.

Disa nga prindërit që ishin në supermarket u shprehen të shqetësuar për këto lloje të lodrave. Ata vet nuk e dinë se çka është kjo festë, por thonë se janë të detyruar nga fëmijët që t’u blejnë fëmijëve maska për këtë natë.

“Ne nuk e kemi festuar këtë natën e shtrigave, por s’po kemi qare pa ua ble fëmijëve sepse kanë mësuar në shkollë nga të tjerët dhe nëse nuk e festojnë thonë që po diferencohen nga të tjerët. Unë zakonisht ua kam ble ndonjë maskë të thjeshtë, por këto lodra që qenkan këtu me këto duar të prera janë të tmerrshme për fëmijët. Këto markete nuk është dashtë që t’i sjellin, pasi ato po e tërheqin kureshtjen e fëmijëve dhe unë mendoj që nuk duhet që fëmijët të kenë në dorë këso lodra”, thotë Shkurta, qytetare nga Prishtina.

Lodrat e tilla ndikojnë negativisht tek fëmijët

Psikologu Adem Shala ka thënë për tesheshi.com se lojërat e fëmijëve kanë një rëndësi të madhe në formësimin e tyre që nga mosha më e vogël dhe se ato kanë ndikim tek fëmijët.

“Sipas studimeve një lodër apo lojë për të qenë e dobishme duhet të përmbushë katër pika: Të favorizojë të mësuarin, të nxis imagjinatën, të ketë integrim apo kohezion dhe të lehtësojë komunikimin”, thotë Shala.

Ai thotë se fëmijët përmes lodrave mësojnë, ushtrojnë dhe modelojnë realitete në mendjet e tyre. Përmes tyre fëmijët krijojnë lidhjet me rrethin social krijojnë një raport pozitiv apo negative me të tjerët dhe gjithashtu ndihmojnë në shkëmbimin e ideve dhe zhvillimin e imagjinatës.

“Shitja e disa lodrave në dyqanet tona për fëmijë mund të ndikojë negativisht në krijimin e realitetit tek fëmijët, për arsye se ato lodra janë abuzive për mendjen e fëmijëve dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin e personalitetit të tyre”, theksoi Shala.

Ai thotë se duhet të krijohet një ambient i përgjithshëm pozitiv për fëmijët dhe se nuk duhet lejuar që të shitën lloje të ndryshme të lodrave të cilat mund të kenë ndikime negative për fëmijët.

“Për të gjitha këto fajin e ka shoqëria dhe institucionet përgjegjëse të cilat duhet të kujdesen më shumë për fëmijët, jo përmes shumë mundësive që ofron tregu me pagesë, apo që ekzistojnë në këtë fushë, por duke iu krijuar fëmijëve hapësira të nevojshme për lojëra interaktive”, u shpreh Shala. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakNjeriu të cilit Allahu ia pranoi çdo lutje
Artikulli vijuesUNESCO miraton rezolutën përkundër tërbimit izraelit: njeh vendet e shenjta të Jeruzalemit me emra islamë