BE: Kosova të përgatitet për rikthimin e emigrantëve

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre me rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Kosova dhe thanë se vendet e tyre po e trajtojnë me kujdes këtë dukuri të kohëve të fundit.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa zhvilluan një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë, me qëllim të adresimit të çështjes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës ku Jahjaga theksoi shqetësimin e madh të institucioneve të vendit me numrin e madh të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi, një fluks që është shtuar në dy muajt e fundit në veçanti.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e vendit, me mirëqenien e tyre dhe me migrimin e tyre, por kjo çështje duhet të trajtohet bashkërisht edhe me të gjitha vendet e BE-së, për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj dukurie.

Presidentja Jahjaga theksoi se sipas saj institucionet e Kosovës po i adresojnë me kujdes të gjitha shkaqet e shtimit të numrit të qytetarëve të Kosovës që migrojnë ilegalisht dhe po punojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, në zhvillimin ekonomik të vendit, kthimit të perspektivës së qytetarëve si dhe vendosjen e sundimit te ligjit dhe të rendit.

Ajo tha se është shqetësues fakti se për shkak të marrëdhënieve aktuale me Republikën e Serbisë, që ka hapur të gjitha portat për daljen e qytetarëve të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimet në kufirin me Hungarinë.

Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi që ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së të mbështesin përpjekjet e institucioneve të Kosovës që t’u sqarojnë qytetarëve të vendit qëndrimin e shteteve të tyre për azilkërkuesit.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre me rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Kosova dhe thanë se vendet e tyre po e trajtojnë me kujdes këtë dukuri të kohëve të fundit.

Ata theksuan se duhet të paraqiten masat ekonomike për të adresuar situatën. Ata gjithashtu thanë se Kosova duhet të përgatitet për pranimin e qytetarëve të Kosovës pas procedurave të kthimit të tyre në Kosovë./trt/kohaislame

Artikulli paraprakNATO paralajmëron për reagim të Rusisë nëse armatoset Ukraina
Artikulli vijuesPresidenti Erdogan, takim me biznesmenë dhe investitorë arabë