Në një deklaratë të Komisionit Evropian, thuhet se paratë do të shpenzohen në ndërtimin dhe pajisjen e shkollave ku mësojnë fëmijët refugjatë por edhe fëmijët nga komuniteti mikpritës.
Bashkimi Evropian (BE) ka zhbllokuar të enjten 200 milionë euro si pjesë nga pakoja multi -miliardëshe për t’u dalë në ndihmë refugjatëve sirianë në Turqi, raporton (AA).
Në një deklaratë të Komisionit Evropian, thuhet se paratë do të shpenzohen në ndërtimin dhe pajisjen e shkollave ku mësojnë fëmijët refugjatë por edhe fëmijët nga komuniteti mikpritës, si dhe për nxitjen e përkrahjes humanitare të refugjatëve.
“Së fundmi, kontratat me vlerë prej mbi 200 milionë euro janë nënshkruar për të rritur infrastrukturën arsimore, ndërtimin dhe pajisjen e shkollave si dhe të bëjnë lehtësimin e qasjes në shkollim për dhjetëra mijëra fëmijë refugjatë”, deklaroi komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, sipas të cilit BE-ja në këtë mënyrë mundëson një jetë më të mirë për refugjatët në Turqi.
Komisari për Ndihmë Humanitare dhe Menaxhim me Kriza, Christos Stylianides, shprehu kënaqësinë e tij nga ndihma e alokuar për njerëzit në nevojë.
“Strategjia Humanitare e BE-së ka pasur një ndikim të madh në terren gjatë vitit 2016. Për një vit të vetëm u kontraktua një ndihmë marramendëse në vlerë prej 517 milionë euro dedikuar ndihmës humanitare për refugjatët në Turqi, përfshirë projektin më të madh në historinë e BE-së, Rrjeti për Siguri dhe Emergjenca Shoqërore i vlefshëm 348 milionë euro”, tha ai.
“Deri më tani, janë kontraktuar 37 projekte me vlerë 1.45 miliardë euro, nga të cilat 748 milionë janë disbursuar. Totali i alokuar për zbatim në kuadër të masave lehtësuese për refugjatët në Turqi për veprime humanitare dhe johumanitare tani qëndron në 2.2 miliardë euro”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Në muajin mars, Turqia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje e cila ka për qëllim të dekurajojë emigracionin e parregullt në Detin Egje përmes masave të rrepta kundër trafikantëve si dhe duke përmirësuar kushtet për rreth tre milionë refugjatë sirianë në Turqi.
Marrëveshja gjithashtu parasheh përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE dhe heqjen e vizave për shtetasit turq./kumti.com