Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq vazhdon të vjellë vrer e helm kundër institucioneve të Kosovë, transmeton Koha.net.
Kësaj radhe, ai, duke u ngritur kundër Policisë së Kosovës, e ka dënuar atë që ai e ka quajtur keqtrajtim të gjashtë serbëve që gjoja janë arrestuar në rrugën Klinë – Pejë pas kthimit nga kremtimi i festës fetare në fshatin Petrit i Poshtëm, Klinë. Gjuriq, njofton portali serb Srbijadanas, transmeton Koha.net. ka kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.
Veç kësaj, Gjuriq nuk ka ngurruar që t’i japë mësim policisë duke i thënë se ajo duhet të zbardhë, siç ka thënë ai, të paktën, disa nga sulmet e përditshme ndaj serbëve të kthyer dhe pasurive të tyre
Me veprim të tillë, ka thënë Gjuriq, ata që duhet të përkujdesen për rendin e sigurinë bëhen bashkëpjesëmarrës në fushatën e frikësimit të serbëve dhe pengimit të kthimi të tyre.
“Ky incident vërteton më së miri se sa keqdashës e të pafytyra janë protestat e Prishtinës për shkak të ndërtimit të lagjes “Lugina e Diellit” të menduar ashtu që të dëbuarit të mund të kthehen në mesin ku do t‘i lihen mëshirës e jo mëshirës, dhunuesve me ose pa uniforma”, ka thënë Gjuriq.
Policia e Kosovës, sot përmes një komunikate bëri të ditur se ka arrestuar gjashtë burra serbë në Pejë pasi kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.
Si pasojë e sulmit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit dërgohen në mbajtje.