Berisha dhe Rama takohen të dielën

0
148

Konfirmohet takimi mes Kryeministrit, Sali Berisha dhe liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama për cështjen e Presidentit.Burime të Top Channel treguan pak para mesnatës së djeshme se takimi mes tyre do të mbahet të dielën në orën 20:30 të mbrëmjes në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.

Mësohet se pas takimeve qe kryeministri Berisha pati të premten në Vlorë, ku shoqërohej nga nënkryetari i PD-së dhe deputeti i këtij qarku, Astrit Patozi, ky i fundit i ka telefonuar homologut të tij socialist, Gramoz Ruci. Mësohet se zoti Patozi i ka kërkuar zotit Ruci që

takimi mes dy kryetarëve të partive të realizohet të dielën në mbrëmje në orën 20.30.

Orari i vonë sipas zotit Patozi është argumentuar me axhendën dhe angazhimet e kryeministrit Berisha këtë fundjavë në jug të vendit, ku pas Vlorës dhe Orikumit, pritet të qëndrojë në Sarandë. Ndaj kjo është edhe arsyeja pse takimi do të zhvillohet në këtë orë të mbrëmjes, pak para se të mbahet votimi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri ditën e hënë.

Ky takim mes Berishës dhe Ramës shikohet si mundësi për të gjetur kompromisin për një kandidat konsensual për president.

Nuk dihet nëse shefi i qeverisë do të këmbëngulë sic edhe deklaroi një natë më parë që kandidati për president të jetë emri i përzgjedhur nga maxhoranca, Xhezair Zaganjori, apo në takimin me Ramën mund të flitet edhe për emra të tjerë të mundshëm.

Por pa paragjykuar takimin mes kryeministrit dhe liderit të opozitës, orari i pazakontë në të cilin do të zhvillohen negociatat, nuk paralajmëron shumë optimizëm. Kjo edhe për faktin se raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit është të hënën në orën 10.00 të paradites. /koha/kohaislame