Berisha: Dogana ka grumbulluar 960 milionë euro këtë vit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka treguar për punën që është duke bërë Dogana e Kosovës për mbledhjen e sa më shumë parave për buxhetin e shtetit, luftimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal në të gjithë vendin.

Ai ka folur edhe për kontrabandën, ndikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) në të hyrat doganore, kontrollin e cilësisë së naftës si dhe për hapjen e terminalit doganor të Kosovës në Durrës.

“Dogana historikisht që nga themelimi ka qenë mbushëse e arkës së shtetit. 960 milionë euro janë mbledhur nga Dogana e Kosovës këtë vit, 57 milionë euro më shumë nga viti paraprak, dhe kjo është performancë e mirë. Ne jemi mbi plan pasi janë paraparë 914 milionë euro të mblidhen për 10 muaj. Deri në fund të vitit është parashikuar të grumbullojmë mbi 1 miliard euro”, tha Berisha.

Sipas tij, për Doganën e Kosovës mbetet sfidë luftimi i kontrabandës së mallrave jashtë pikave kufitare, duke përfshirë edhe pjesën e veriut të vendit.

Berisha po ashtu ka folur edhe për kontrollin e cilësisë së naftës i cili bëhet nga Dogana e Kosovës në terminalet doganore.

“Nga 23 prill i këtij viti është bart përgjegjësia nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tek Dogana e Kosovës që të bëhet kontrolli i cilësisë së naftës. Ne si doganë kemi përgjegjësi që të bëhet kontrolli i dokumenteve. Aktualisht analizat ditore të kontrollit për cilësi të naftës bëhen nga 3-6 për qind”, tha ai.

Drejtori i Doganës Bahri Berisha ka thënë se hyrja në fuqi e MSA-së ka pasur ndikim negativ në të hyrat doganore.

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ka hy në fuqi më 1 prill të 2016, dhe për këtë vit ndikimi i MSA në taksën doganore ka qene 26 milionë euro”, tha ai.

Berisha po ashtu ka folur edhe për eksportet dhe importet për të cilin ka thënë se importet ende vazhdojnë të jenë të mëdha. /Telegrafi/

Artikulli paraprakDiplomatët shqiptarë shëtitje me avion me paratë publike. Miliona lekë të abuzuara me bekimin e Ditmir Bushatit
Artikulli vijuesDiabeti po kthehet në pandemi