Liria e shprehjes në Maqedoni vazhdon të jetë seriozisht e rrezikuar, gjë që evidentohet edhe në raportin e progresit si dhe në raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare në të cilat Maqedonia renditet në mesin e shteteve ku është e cenuar rëndë liria e shprehjes, shtet ku mbretëron censura në media, ndërsa gazetarët profesionistë ballafaqohen me presione dhe kërcënime të vazhdueshme, e shpëshherë edhe me largime nga puna.
Qëllimi i pushtetit ishte që të kontrollojë mediat dhe ato në vend që të shërbejnë për informimin e publikut, të shndërrohen në altoparlant propagandues për garniturat qeverisëse.
Një konstatim i tillë është vërtetur edhe në Raportin e Misionit monitorues të OSBE dhe Këshillit të Evropës, të cilat monitoruan mënyrën e raportimit të mediave gjatë procesit zgjedhor, me ç’rast u konstatua se shumë prej medieve kanë raportuar në mënyrë të njëanshme në të mirë të pushtetit. Po ashtu, gjatë viteve të fundit, Maqedonia ka shënuar rënie në Indeksin për lirinë e fjalës të Reporterëve pa kufi dhe në indeksin e “Freedom House”.
Pavarësisht shqetësimit të shprehur nga faktori ndërkombëtar, presionit të shoqërisë civile dhe përkrahësve të lirisë së shprehjes, me vendimin e fundit të qeverisë së Maqedonisë ku parashihet që të shpërndahen miliona euro për ato media që kanë qenë në shërbim të propagandës së këtij pushteti. Qeveria VMRO-BDI vazhdon me avazin e vjetër duke mos përfillur kërkesat e ndërkombëtarëve që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinos, duke shpërndarë me miliona euro për mediat maqedonase pro qeveritare, ndërsa BDI në vazhdën e përpjekjeve për ngulfatjen e medieve tash së fundmi ka paralajmëruar edhe padi ndaj medieve të pavarura, siç është rasti me Gazetën Lajm.
Lëvizja BESA dënon ashpër këtë sjellje skandaloze të BDI-së ndaj medieve shqiptare, sidomos kur kemi parasysh se këto kërcënime vijnë nga një parti shqiptare në pushtet, e cila ka dëshmuar shumë herë se për shqiptarët është “ujk”, ndërsa për palën tjetër “qengj”. BESA është e interesuar dhe do të vazhdojë të insistojë për media të lira dhe të pavarura.