Besimtari me moralin e tij të mirë arrin gradën e atyre besimtarëve që agjërojnë dhe falen shumë.

Allahu i Madhëruar i ka nxitur robërit e Tij në shumë ajete të Kuranit Fisnik që të pajisen me moral të mirë, e për këtë u ka premtuar shpërblim të madh; Xhenetin dhe mëshirën e Tij. Allahu i Madhëruar në një ajet të mbushur plot bukuri, na nxit duke thënë:

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj, dhe Xhenetit hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie. Dhe kur janë në vështirësi e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.”[1]

Në anën tjetër, duke lavdëruar cilësitë e durimit, sinqeritetit dhe dhënies së lëmoshës, Allahu i Madhëruar thotë:

“Që janë të durueshëm, të sinqertë, të devotshëm në adhurimin e Allahut; që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.”[2]

Në të njëjtën kohë, duke lavdëruar cilësinë e thjeshtësisë, faljen e agresionit prej të tjerëve dhe ruajtjen e gjuhës (nga fjalët e ndaluara), Allahu i Madhëruar thotë:

“Robërit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin thjeshtë nëpër Tokë dhe kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: Paqe qoftë!”[3]

Në disa ajete më poshtë, Allahu i Madhëruar thotë:

(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë duke gënjyer, e kur kalojnë pranë kotësive kalojnë me dinjitet.”[4]

Gjithashtu, kur Allahu tregon fjalët e njërit prej bijve të Ademit, i cili i drejtohet vëllait të tij, thotë:

“Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras sepse në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.”[5]

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili i ka nxitur njerëzit drejt moralit të mirë. Madje, kur e kanë pyetur Profetin: “O i Dërguari i Allahut, cila është gjëja më e mirë që i është dhuruar një njeriu?” Profeti është përgjigjur duke thënë: “Morali i mirë.[6]

Veç të tjerash, Profeti na ka treguar vlerën që mbart morali në këtë botë, e për më tepër në botën tjetër. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) përcjell se Profeti i është drejtuar duke i thënë: “Atij që i është dhuruar butësi, i është dhuruar nga mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Ndërsa mbajtja e lidhjeve farefisnore, morali dhe fqinjësia e mirë, ndërtojnë vendin dhe shtojnë jetën.”[7]

Profeti na tregoi për peshën e madhe që posedon morali krahas e virtyteve të tjera ditën e gjykimit, duke thënë: “Nuk ka gjë më të rëndë që vendoset në peshë, sesa morali i mirë. Një njeri që posedon moral të mirë, vetëm për këtë arrin gradën e atij që falet dhe agjëron.” [8]

Mund të ndodhë që një person të mos ketë sukses në praktikën e shumë adhurimeve, siç janë qëndrimi i gjatë në namaz apo agjërimi, adhurime, të cilat i praktikohen nga të devotshmit dhe asketët (ata që braktisin kënaqësitë e kësaj bote dhe jepen pas botës tjetër). Por, nëse ky person njihet mes njerëzve si njeri me sjellje të butë dhe me moral të mirë, atëherë, ky moral, kjo butësi dhe modesti e ngre atë në gradën e atyre që adhurojnë Allahun dhe janë asketë.

Aishja transmeton kështu: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Vërtet, besimtari me moralin e tij të mirë arrin gradën e atyre besimtarëve që agjërojnë dhe falen shumë.” [9]

 

 

[1] Suretu Ali Imran, 133-134.

[2]Suretu Ali Imran, 17.

[3]Suretu Furkan, 63.

[4]Suretu Furkan, 72.

[5]Suretu El Maide, 28.

[6]Transmeton Ibn Maxhe, nr. 3 436. Saktësoi Shejh Albani.

[7]Transmeton Imam Ahmedi (6/159) me zinxhir transmetimi të saktë.

[8]Transmeton Ebu Daudi, nr. 4 799, Tirmidhiu, nr. 2 003 e ky është versioni i tij. E saktësoi Shejh Albani në botimin “Vargu i haditheve të sakta” nr. 876.

[9]Transmeton Ebu Daudi nr. 4 798 dhe e saktësoi Shejh Albani.

 

Këshilla të arta për moralin e lartë

Autor Abdulmalik Ramadani

Artikulli paraprak5 ide per sadaka qe shperblehesh per to edhe pas vdekjes tende:
Artikulli vijues3 urtësitë e lutjes së Junusit alejhi selam