Me një titull që nuk rrëfen se cilës palë ia referon, RTV e Serbisë e rikujton një përplasje të UÇK-së me forcat serbe 17 vjet më parë: “Beteja e Koshares, tregimi më heroik i luftës në Kosovë”.
Koha.net transmeton përshkrimin e saj ashtu siç është parë ajo me sytë e palës serbe, sa për kureshtje të lexuesit tonë.
Në ditën e sotshme (më 9 prill 1999) para 17 vjetësh forcat e UÇK-së, ushtritë shqiptare dhe të NATO-s sulmuan karakollin e Koshares në kufirin jugosllavo-shqiptar. Sulmi ishte i fuqishëm duke e befasuar Ushtrinë e Jugosllavisë (të rikujtojmë se në këtë vit Jugosllavi quhej Serbia me Malin e Zi, meqë Sllovenia, Kroacia, Bisnja e Hercegovina e Maqedonia ishin shkëputur dhe tashmë ishin shtete të pavarura – sqarim ynë) dhe UÇK-ja ia del ta pushtojë karakollin, por nuk mundi të depërtojë thellë në territorin e Kosovës, që ishte qëllimi kryesor i sulmit. Ushtria e Jugosllavisë pati 108 të vrarë, kurse UÇK-ja mbi 200.
Rreth 1.500 pjesëtarë të UÇK-së, të mbështetur nga artileria shqiptare, aviacioni dhe instruktorët e NATO-s sulmuan rajonin e karakollit të Koshares në një front të gjerë disa kilometrash në mëngjesin e 9 prillit. Deri më 9 prill NATO nuk e kishte qëlluar Kosharen, por po pozicionet e tjera në kufirin jugosllavo-shqiptar. Karakolli ishte i vendosur në shpatet e Bjeshkëve të Nemuna, jo larg Gjakovës e Deçanit.
Në këtë moment në front ishin pak më shumë se 100 pjesëtarë të njësisë kufitare të Ushtrisë së Jugosllavisë. Për shkak të sulmeve nga ajri, por edhe të divizionit të UÇK-së, një ndihmë më e madhe nuk mund të arrinte.
Vlerësimi i kreut ushtarak ishte se sulmi tokësore do të nisej nga territori i Maqedonisë kur tashmë ndodheshin rreth 16 mijë ushtarë të NATO-s, ndërsa nuk supozohej se sulmi kryesor do të vinte përmes Koshares.
Pas rënies së karakollit5, arritën përforcime prej disa qindra pjesëtarësh të Ushtrisë së Jugosllavisë nga njësitë këmbësore dhe ato speciale, kështu që vija e frontit u stabilizua më 19 prill dhe nuk ka pasur ndryshime të mëdha deri në fund të luftës.
Përmes përgjimeve të radiolidhjeve të Ushtrisë së Jugosllavisë ishte konstatuar se artilerinë dhe minahedhësit i drejtonin me saktësi të madhe njerëz që flisnin italisht e frëngjisht. Vëzhguesit kishin parë në uniforma të armikut italianë, francezë, turq, britanikë dhe të Ushtrisë së BeH me tulipanë.
Në kulmin e luftës Ushtria e Jugosllavisë kishte rreth 1.200 ushtarë, kurse UÇK-ja me vullnetarët dhe njësitë shqiptare pesë deri gjashtë mijë. Forcat e UÇK-së luftonin me ndërrime, ndërsa për Ushtrinë Jugosllave nuk kishte pushim.
Përqendrimi i madh i forcave në Koshare i kushtoi UÇK-së braktise të shumë pozicioneve, meqë është vërtetuar se shumë pjesë të kufirit nga ana shqiptare kanë qenë thuaja pa kurrfarë mbrojtjeje.
Bindja se nëse bie vija e frontit në Koshare, do të ketë konflikte shumë më serioze me UÇK-në e NATO-n dhe me një fund të paparashikueshëm, mbante lartë moralin . Ushtria e Jugosllavisë shpesh bënte sulme nëpër shi të akullt, cegëm, mjegull e borë deri një metër dhe mbrojti pozicionet deri në momentin e fundit – që kishte ndikim shtesë në rënien e moralit të armikut.
Qëllimi i sulmuesve, UÇK-së, NATO-s dhe ushtrisë shqiptare ishte të depërtohej në Rrafshin e Dukagjinit dhe që forcat e Ushtrisë së Jugosllavisë, deri atëherë të maskuara dhe mirë të fshehura, të detyrohen të dalin në luftë të hapët në të cilën do të manifestohej përparësia teknologjike e aviacionit të NATO-s.
Territori i RSJ-së që agresori ia kishte dalë ta pushtonte ishte vetëm katër kilometra në gjerësi dhe disa qindra deri një mijë metra në thellësi.
Gjatë përplasjeve të përgjakshme në Koshare ka pasur edhe shumë skena bizare, në të cilat është vështirë të besohet. Ka ndodhur që në të dy anët e frontit për shkak të mjegullës së dendur luftëtarët të bredhin në istikamet e armikut dhe të kthehen në të vetat të pavënë re nga askush.
Për shkak të përgjimeve të vazhdueshme një oficeri rezervë të Ushtrisë së Jugosllavisë i ishin kujtuar Indianët Navaho nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, dhe angazhon dy romë, pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë, të cilët në gjuhën e tyre përmes radiolidhjeve drejtonin artilerinë dhe minahedhësit. Deri n ë fund të luftës N ATO dhe UÇK nuk ia kanë dalë të kuptojnë se për çfarë bëhej fjalë, sepse nuk e kuptonin gjuhën rome.
https://www.youtube.com/watch?v=vr4cq-rrxoM
Në Betejën e Koshares në radhët e Ushtrisë së Jugosllavisë luftonte një numër i madh vullnetarësh nga vendi e bota e jashtme. Përveç rusëve – kozakë nga njësitë parashutiste, ka pasur njerëz nga vende të tjera europiane – e ashtuquajtura “aradha internacionale” e përbërë prej tridhjetë vetash nga pjesa perëndimore e Ukrainës, Finlanda, Suedia, Danimarka, Holanda dhe nga një skocez e irlandez nga Britania e Madhe.
U vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe vullnetarë, kurse trupat e disa prej ushtarëve asnjëherë nuk u nxorën nga kufiri. Në territorin e karakollit të Koshares sot ndodhen rreth 150 varre, pjesëtarë të vrarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vlerësohet se edhe disa dhjetëra njerëz nga radhët e UÇK-së janë varrosur në Shqipëri.
Beteja e Koshares përfundoi zyrtarisht më 14 qershor të vitit 1999, kur Ushtria e Jugosllavisë në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës me forcat e KFOR-it u tërhoq nga Kosharja. Tërheqja nga këtu ndryshe nga pjesët e tjera të Kosovës kaloi pa asnjë incident, kurse armiqtë shikonin njëri tjetrin me qetësi.
Në një shkrim tjetër të medieve serbe, veteranët e konsiderojnë Betejën e Koshares më t vështirën gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Në përshkrimin e saj thuhet:
Më 9 prill 1999, pikërisht në të Premten e Madhe, UÇK e mbështetur nga NATO dhe u8hstria e rregullt e Shqipërisë ndërmori sulm me qëllim depërtimi në thellësi të hapësirës së Kosovës, që kështu të ndërpresë komunikimin Pejë-Gjakovë-Prizren, të ndajë forcat tona dhe të bashkohet me grupin e Ramush Haradinajt në zonën e Jabllanicës.
Një epror i Ushtrisë së Jugosllavisë thotë se në luftimet në Koshare ishin të angazhuar 15 mijë pjesëtarë të UÇK-së, të mbështetur nga aviacioni i NATO-s dhe ushtria e rregullt e Shqipërisë, në radhë të parë nga artileria e kalibrit 105 dhe 155 milimetra. Kufirin e RS të Jugosllavisë e mbronin pjesëtarët e Bruigadës 125 të Motorizuar dhe të divizionit 63 parashutist dhe të Brigadës Speciale 72.
Gjeneralmajori Dragan Zhivanoviq, pasi përshkruan se si një rreshter i njësisë së tij kishte minuar karakollin e Koshares dhe ia kishte vënë flakën, thotë se njësia që ishte pozicionuar në atë pjesë të kufirit, pas mobilizimit, ka pasur rreth 7 mijë ushtarë, ishte e armatosur me tanke T-55 dhe artileri të kalibrit 122 dhe 90 milimetrash. Në radhët e saj ishin rezervistë nga territori i Kosovës, Kralevës, Banjës së Vranjës dhe Tersteniku. Në luftë u vranë 62 pjesëtarë të kësaj njësie.
Vidoje Kovaçiq, ndër të tjera, thotë se Koshare ka parë me sytë e tij dy zezakë të vrarë, që kishin luftuar në anën e UÇK-së.