Bido: Kthimi i çamëve në kufi, pa asnjë argument

Rasti i fundit i kthimit të më shumë se 50 qytetarëve shqiptarë në kufirin me Greqinë, në Kapshticë pa asnjë argumentim nga pala greke, tregon se Athina zyrtare tashmë ka kaluar çdo kufi prepotence me shtetin tonë dhe bashkëkombasit tanë.

“Pasi përdori një sërë argumentesh nga më qesharakët, përfshi këtu edhe toponimitë, të cilat PDIU vërtetoi se nuk kanë asnjë efekt ligjor, tashmë shteti grek po i kthen pa asnjë argumentim qytetarët shqiptarë në kufi. Rasti në fjalë, së bashku me rastin e gjyqtarëve të çështjes Boboshtica tregojnë se nuk janë vetëm shqiptarët e Çamërisë hal në sy për shtetin grek, por të gjithë bashkëkombasit tanë, pavarësisht origjinës së tyre” , deklaroi Ardit Bido, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU.

Sipas tij, kjo është një përpjekje e qartë e palës greke në dy drejtime: së pari Greqia po tenton që të tregojë supermacinë e saj ndaj Shqipërisë, sidomos në këtë periudhë kur shteti grek ka humbur çdo rol në politikën rajonale në Ballkan, për shkak të krizës ekonomike dhe politike që është futur.

“Shteti shqiptar ka vetëm dy rrugë, ose të përulet përpara këtij shantazhi të shumëformësh, një pjesë e të cilit është edhe kthimi i shtetasve shqiptarë në kufi duke qëndruar apatik, ose të kundërshtojë ashpër në të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe të protestojë zyrtarisht, nëpërmjet notave të protestës ndaj shtetit grek. Rrugë të tretë nuk ka. Në këndvështrimin tonë qëndrimi i parë është i papranueshëm dhe asesi nuk duhet të përvijohet nga politika zyrtare e vendit tonë. Së dyti, Greqia po dëmton rëndë imazhin e shtetit shqiptar në Bashkimin Evropian. Raportet e përtremujorshme të FRONTEX, autoritetit përgjegjës i BE-së për menaxhimin e kufijve, tregojnë se shtetasit shqiptarë janë në vend të parë në kthimin e tyre, ndër vendet që kanë liberalizim vizash me zonën Shengen. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas FRONTEX janë kthyer në kufi më shumë se 3500 shqiptarë, 60 për qind e të cilëve si persona të padëshiruar”, thekson Bido.

PDIU vlereson se ndër personat e kthyer si të padëshiruar, shqiptarët përbëjnë gjysmën e tyre, ndonëse në total shqiptarët e kthyer janë vetëm 10 për qind e të kthyerve. 8 në 10 shqiptarë janë kthyer nga Greqia si persona të padëshiruar.

“Shteti grek e di mjaft mirë se sa më të këqija janë këto statistika në dëm të shtetit shqiptar, aq më shumë argumente ka që të tentojë zvarritjen e proceseve integruese të Shqipërisë dhe të kërkojë marrjen e masave për vendimin për liberalizimin e vizave me zonën Shengen. Në këtë kuptim, nuk është rastësore, që për liberalizimin e vizave, janë bërë vetëm dy pyetje në Parlamentin Evropian gjatë këtij viti, të dyja nga eurodeputetë grek, të cilët as më pak e as më shumë kërkonin pezullimin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Është e qartë si drita e diellit, që shqiptarët kanë respektuar më shumë se çdo kombësi tjetër kushtet e liberalizimit të vizave dhe dëmtimi i imazhit tonë është thjesht produkt i një politike antishqiptare, që sidomos gjatë kohëve të fundit është fuqizuar në Greqi. Nuk duhet të harrojmë se nacionalizmi përforcohet në periudhë krizash dhe rasti grek është shëmbëlltyrë e këtij fenomeni”, theksoi Ardit Bido.

PDIU i bën thirrje shtetit shqiptar që të veprojë sa nuk është vonë, për të shpëtuar nga një grackë që qarqet ekstremiste në Greqi po tentojnë të fusin shtetin tonë, qarqe të cilat gjithnjë e më shumë kanë gjetur zë në politikën zyrtare të Athinës. Rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Athina, aq më tepër nga një Athinë që gjithnjë e më shumë gjendet me një hap jashtë Evropës së Bashkuar. Rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga përqafimi i vlerave evropiane, të cilat qytetarët shqiptarë i shprehin në mënyrë të vazhdueshme. Ka ardhur koha, që shteti shqiptar ta përqafojë këtë aspiratë dhe ndjesi të kombit shqiptar. (INA/kohaislame

Artikulli paraprakBora mbulon Sarajevën
Artikulli vijuesShëndoshja fillon 3 orë pas ngrënies