Gurthemeli për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë ishte vënë me pompozitet, në vitin 2012, nga krerët e atëhershëm të institucioneve kryesore të Kosovës – presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.
Por, pas katër vjet e gjysmë, asgjë nuk ka nisur në hapësirën prej 80 arësh në afërsi të ndërtesës së PTK-së në lagjen Dardania.Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) fajëson Komunën e Prishtinës se po e zvarrit lejen për të filluar ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
E kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, thotë se deri të dhënia e lejes ka ende shumë procedura. Ai paralajmëron se do të hapet dhe debat publik nëse kjo xhami e ka vendin në Dardani. “Sepse ajo e prek planifikimin urban për këtë lagje komplet”.Zëdhënësi i Bashkësisë Islame, Ahmet Sadriu, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”, se BIK-u i ka kryer të gjitha obligimet e veta sa i përket fillimit të ndërtimit të objektit, porse shfaq dyshimin se Komuna e Prishtinës “për qëllime të caktuara” po e prolongon dhënien e lejes.
Ai paralajmëron se “durimit të besimtarëve myslimanë po i vjen fundi”.“Unë thjesht nuk e kuptoj që një procedurë të zgjatë pesë vjet. Të gjitha obligimet tona i kemi përfunduar. Besoj dhe mendoj se është në pyetje që këto punë të shtyhen, të zhagiten dhe të prolongohen me qëllime të caktuara që ne nuk i dimë”, thotë Ahmeti.
Por, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se “nuk jemi ende te procesi kur pritet vetëm leja”.“Ka edhe shumë hapa të tjerë që duhet të përmbushen, dhe për këtë arsye e kemi bërë grupin punues në lidhje me këtë vendim. Besoj se gjatë javëve dhe muajve në vijim do të kemi informata të vazhdueshme edhe për publikun që të kyçen në debat publik që ta zgjidhim këtë çështje tepër të rëndësishme”, thotë ai.Edhe pse për këtë objekt, Bashkësia Islame e Kosovës ka pronësinë, dhe se në inaugurim kishin marrë pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit, krahas drejtuesve të BIK-ut, Ahmeti thotë se ky objekt fetar nuk parashihet me asnjë dokument ligjor.
“Duhet kuptuar se ne japim leje sipas dokumenteve Planit Zhvillimor Urban dhe Planit Rregullativ. Në asnjërin nuk është e paraparë që xhamia të ndërtohet aty”, thotë ai.Mirëpo, zëdhënësi i BIK-ut,thotë se Komuna e Prishtinës, nuk ka bërë asnjë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit dhe se problemi nuk qëndron tek kjo ministri, por te vetë Komuna.“Ne kemi pasur takim, së fundi, edhe me ministrin Ferat Shala që është përgjegjës për këto çështje; e kemi biseduar pikërisht këtë çështje dhe rezulton se Komuna nuk ka bërë një kërkesë ndaj ministrisë përkatëse që t’i jepet leja.
Ata janë të gatshëm që në momentin që e procedon Komuna kërkesën, ata të gjitha punët t’i përfundojnë dhe të vijë deri të nisma për ndërtimin e Xhaminë”, tha ai.I pari i kryeqytetit thotë se janë të interesuar të zgjidhin këtë çështje, porse insiston se duhet të gjendet “një zgjidhje e pranueshme për të gjithë”.
“Kam krijuar një grup punues të arkitektëve tonë dhe të Bashkësisë Islame me ç’rast do të shihen dallimet të cilat i kemi në një mënyrë që të vijmë në një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Por duhet ta kuptojmë që këtu ka debat publik për këtë punë nuk është ky vetëm vendim i BIK-ut dhe i Komunës së Prishtinës, sepse ajo e prek planifikimin urban për atë lagje komplet”, thotë ai.
E durimi i BIK-ut duket se po mbaron. Zëdhënësi Sadriu konsideron se nevoja për këtë xhami është jetike, ngase, sipas tij, besimtarët myslimanë po detyrohen të falen në rrugë, duke iu ekspozuar borës dhe shiut.“Ne vazhdojmë të presim një përgjigje që ende nuk e kemi. E kemi një presion shumë të madh prej besimtarëve tanë, prej komunitetit islam, të cilët në vazhdimësi pyesin dhe kërkojnë. Unë besoj se kësaj procedure duhet t’i vijë fundi. Edhe durimi e ka një fund”, përfundon zëdhënësi i Bashkësisë Islame.