Biljana Srbljanovic: Serbia ta njoh Kosovën

Njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë akt i shtet-ndërtimit nga ana e Serbisë, e cila kështu përfundimisht do të realizonte sovranitetin e plotë mbi territorin e saj, shkruan shkrimtarja dhe dramaturgia Biljana Srbljanovic, në një shkrim autorial për revistën NIN.

Tekstin e saj Telegrafi do ta botojë të plotë.

Në një kohë kur duket se Serbinë po e lëkundë dilema përfundimtare nëse do ta pranojë marrëveshjen për veriun e Kosovës, përgjigjja ime është pa dyshim: po.

Jo vetëm se duhet të pranohet, por duhet shkuar një hap tutje: është koha që pala serbe, pushteti i saj që sipas të gjitha sondazheve mbështetet nga tri të katërtat e elektoratit, ta kapitalizojë momentin, ta pranojë marrëveshjen dhe ta rris çmimin. Është koha që Serbia ta pranojë pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Jam e vetëdijshme se propozimi im mund të rezultojë në refuzim të menjëhershëm, si radikal dhe ekstrem. Aty qëndron thelbi i saj: Serbia sot, katërmbëdhjetë vjet pas marrëveshjes së Kumanovës, ka nevojë për një zgjidhje radikale dhe një ndërmarrje jashtëzakonisht të guximshme. Në Kosovë kemi provuar gjithçka: luftë, represion, aneksim institucional të krahinës autonome, vetizolim dhe kolaps ekonomik në emër të “interesave nacionale”. Kemi provuar gjithçka, pos një gjëje logjike: pranimin e dyanshëm të dy shteteve të pavarura që ndajnë kufirin, reciprocitet në grupet etnike në territoret e tyre dhe (të paktën formalisht) përpjekje për të dal nga qorrsokaku.

Një nga narracionet e gabuara dhe të pranuara gjerësisht është se për situatën në Kosovë fajtor është Milosevici, “gabimet” e regjimit të tij, dhe se nuk është “e drejtë” që këtë ta “shpaguajë” tërë populli. Megjithatë, nëse ne udhëhiqemi nga kjo logjikë, qeveria aktuale është një levë e rëndësishme e regjimit të Milosevicit, për çka duhet të pranojë përgjegjësitë për “gabime” dhe “shpagim”. Por, nuk është fjala vetëm për këtë, sepse problemi është më i madh dhe më i thellë.

Në Serbi në vitet e nëntëdhjeta nuk kishte as forcë të madhe opozitare që do të ishte e aftë të pranojë çështjen më të vështirë nga të gjithat, që do të ishte e gatshme të rrezikojë mbështetjen e brishtë të trupit votues, duke e shfaqur projektin e vet politik deri në fund. Kjo përgjegjësi duhet të njihet dhe të ndahet me serbët, edhe me shoqërinë qytetare, me të gjithë ne që me vite të tëra e dinim se ku shpie rruga e Milosevicit e nuk kishim forcë, vullnet dhe trimëri që edhe në këtë çështje ta kundërshtojmë.

Edhe vazhdimi i tashëm i këtij tregimi, me futjen e një psikozë të përgjithshme, një synim i teatralizimit të momentit duke përsëritur termat “poshtërim”, “shantazh”, “ultimatum”, “ditë vendimi”, është plotësisht i gabuar.

E shkruaj këtë artikull në kohën kur pala serbe dëshiron të vazhdojë bisedimet, edhe pse publiku vetëm mund të spekulojë se çfarë ata refuzojnë dhe çfarë vazhdojnë të kërkojnë, e mbi të gjitha: çka kush saktë kërkon dhe në emër të kujt? Sepse e vetmja gjë që deri më tani ia dolën është të institucionalizojnë ndarjen e serbëve në Kosovë, në ata në jug të Ibrit, pjesërisht të integruar, të ashtuquajturit “serbë të Thaçit” që kanë humbur mbështetjen e shtetit amë e që shoqëria serbe këtë me heshtje e toleron, dhe “serbët luajalë”, pakicën në veri të Ibrit, thellë të politizuar me përfaqësues të zhytur në përpjekjet e shumta të obskure për të destabilizuar gjithë rajonin. Kështu përsëritet gabimi tragjik duke mos marrë përgjegjësi për atë që përgjegjësia duhet të merret, dhe jo vetëm nga ana e pushtetit po tërë shoqërisë, opinionit intelektual dhe çfarëdo tjetër.

Dhe, narracioni i fundit që flet se pranimi i marrëveshjes është imperativ pikërisht për fitimin e datës (negociatat për anëtarësim në BE të Serbisë – v.j.) është krejtësisht i gabuar. Bindja dhe (vet)mashtrimi i pushtetit dhe publikut se po mbahen negociatat, jo për statusin përfundimtar të Kosovës, por marrëveshje për çështjet teknike, dhe nëse nuk ka synime përfundimtare (në jetën politike serbe ky do të jetë një precedent), shpie në rritje të rezistencës ndaj integrimit në BE, me të cilat kjo shoqëri pastaj do të duhet të përballet.

Secili pushtet deri tash publikun serb e ka cilësuar si të papjekur, pamjaftueshëm të vetëdijshme për interesat e tyre dhe jo mjaft të zgjuar të zgjedhë të mirën e tyre. Është koha që kjo, me një mbështetje të tillë masive, të synojë që të paktën njëherë t’ia japë besimin qytetarëve. Çështja e bisedimeve është çështje e shtetit tonë, dhe kjo jo për datën dhe fondet financiare të BE-së në këtë krizë të thellë financiare, por për zgjidhjen përfundimtare të çështjes serbe të shtetndërtimit.

Në kohën kur kjo Qeveri ka pothuajse tetëdhjetë për qind të mbështetjes së votuesve, pushteti përgjegjës këtë realitetet duhet kapitalizuar dhe ta bëjë përfundimtar, të thellë, por edhe një prerje të shëndoshë që ta njoh pavarësinë e shtetit fqinj të Kosovës. Ky gjest i papritur do të befasonte të gjithë pjesëmarrësit në bisedime dhe do ta sillte palën serbe në avantazhe të pamohueshme: sepse, cilën pikët të marrëveshjes teknike, cilën çështje të shëndetësisë, shkollës dhe çështje tjera komplekse faktori ndërkombëtar dhe pala e Kosovës nuk do të mund t’i pranonte dhe me cilin arsyetim kur Serbia si kompensim ofron gjithçka. Por, edhe më shumë se kjo, sepse Serbia do të jetë në fund në gjendje të flas për çështjet thelbësore të jetës së qytetarëve të saj në Kosovë, pavarësisht në cilën pjesë të territorit ata jetojnë, dhe me kërkesa palën tjetër të bisedimeve që të ofrojë më shumë se një dokument bosh.

Njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë një veprim shtetndërtues i Serbisë, me çka përfundimisht do të realizonte sovranitet në territorin e saj, do të mbyllte çështjen e kufijve, do të realizonte paprekshmërinë në vendime dhe mbi të gjitha do të përmbushte kushtin e ekzistencës të imperativit moral të entitetit që ky sovranitet e arrin. Ky do ishte një hap vendimtar përpara, një angazhim për të ardhmen e shtetit, që vetëm në këtë mënyrë do të kapitalizonte humbjen, do të përmblidhte rrëfimin për të kaluarën dhe do të vazhdonte tutje me qëllimin e sigurt se gabimet e njëjta nuk do të përsëriten.kohaislame

Artikulli paraprakUruguaji legjitimon martesat e homoseksualëve
Artikulli vijuesXhandarmëria serbe arreston dy kosovarë