Xhandarmëria serbe arreston dy kosovarë

Policia serbe ka arrestuar dy shqiptarë të Kosovës në zonën kufitare veri-perëndimore me Serbinë, në fshatin Reçicë, njofton policia e Kosovës.

Forcat ndërkombëtare dhe vendore të policisë janë në vendngjarje për të caktuar vendin e arrestimit të shtetasve kosovar, për të ditur saktë se mos është shkelur sovraniteti i vendit, dhe nëse forcat policore serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Kapiteni Baki Kelani tha për Radion Evropa e Lirë se dy shtetasit ishin prangosur të mërkurën, dhe se njoftimi për këtë vepër është lajmëruar një ditë më vonë nga familjarët e personave.

“Policia e Kosovës ka pranuar një informacion nga EULEX-i dhe nga njëri prej familjarët e personave të arrestuar se dy persona janë arrestuar në orët e pasdites në zonën kufitare në fshatin Reçicë të Podujevës të mërkurën”, tha Kelani.

Sipas tij, familjarët i të arrestuarve i kanë thënë policisë se dy personat ishin duke prerë dru në mal, kur janë zënë nga forcat serbe të sigurisë.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani tha se përmes misionit të EULEX-it po tentohet të mësohet se në çfarë baze janë prangosur dy shtetasit e Kosovës.

Policia e Kosovës ende nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me policinë e Serbisë, si me simotrat tjera të rajonit, ndërsa komunikimin në emër të forcave policore të Kosovës e kryen Misioni i Bashkimit Evropian.

Vitin e shkuar, dy policë kufitar të Kosovës ishin arrestuar nga xhandarmëria serbe, në Merdare nën pretekstin se kishin hyrë në territorin e Serbisë.kohaislame

Artikulli paraprakBiljana Srbljanovic: Serbia ta njoh Kosovën
Artikulli vijuesArrestohen katër persona për kontrbandë me armë