Bizneset e OEMVP-së me kërkesa edhe ndaj Lëvizjes BESA

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore me takimin sot me Lëvizjen “BESA” vazhdon takimet konsultative që ka me të gjitha subjektet politike në vend gjatë periudhës parazgjedhore.

Arsyeja kryesore për inicimin e takimeve të tilla është njoftimi i komunitetit afarist me platformën ekonomike të çdo partie politike. Oda, si përfaqësuese legjitime e zërit të biznesit, orvatet që të ofrojë konsulencë të bazuar në përvojën e antarësisë për të kontribuar në përpilimin sa më të përpiktë dhe sa më të përgjegjshëm të platformave ekonomike.

Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha tha se nuk mund të definohet platforma ekonomike nga ana e partive pa marrë në konsideratë propozimet e biznesit.  Prandaj, nga të gjitha partitë politike, njëherit edhe nga Lëvizja “BESA” si subjekt relativisht i ri në skenën politike, kërkojmë që platformën ekonomike ta bazojnë në këto parime:

  • transparencë dhe llogaridhënie për harxhimin e mjeteve buxhetore dhe politikbërjen
  • zvogëlim të pabarazisë së zhvillimit rajonal
  • braktisje të mitit për fuqi të lirë punëtore
  • masa të reja për zvogëlimin e papunësisë: duke synuar përgatitjen e fuqisë punëtore dhe orientimin e saj në profile specifike, përkatësisht në fushën e aftësimit dhe arsimit profesional
  • përpilim të një platforme ekonomike me plane strategjike afatmesme apo afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm dhe konzistent ekonomik
  • angazhim serioz për rritje të BPV-së më shumë se 4%

“Duke u bazuar në shtyllat bazë të Lëvizjes, programi jonë ekonomik pasqyron gjendjen specifike të vendit, ndërsa zgjidhjet e propozuara nuk do të bazohen vetëm në profilin e caktuar politiko-ideologjik, por në një kornizë më të gjerë, e cila do të mundësojë fleksibilitet në zgjidhjet konform rrethanave dhe nevojave specifike. Ne jemi sot këtu, që të dëgjojmë propozimet e Odës dhe bizeseve që ajo përfaqëson, dhe të njëjtat ti përfshijmë në platformën tone”, tha kryetari i Lëvizjes Besa,  Bilall Kasami.

Oda konsideron se vetëm atëherë kur parimet e lartë-përmendura të inkorporohen në platformat ekonomike do të mund të arrijmë zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe mirëqenie sociale.

Artikulli paraprakDanimarkë, arrestohen 4 persona lidhur me ISIS
Artikulli vijuesSulmet në Bruksel, një nga kamikazët kishte punuar në Parlamentin Europian