Përkundër pritjeve të investitorëve, qoftë të huaj, qoftë vendor, Qeveria nuk arriti gjatë vitit 2017 ta implementojë Ligjin për Investimet Strategjike dhe pakon fiskale 2.0.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se përkundër entuziazmit që kishin bizneset me ardhjen e Qeverisë së re, kjo nuk u shpagua në marrje të vendimeve të mëdha të cilat ka kohë që mungojnë.
“Ndoshta ky vit ka shënuar edhe interesimin më të vogël të investitorëve të huaj. Ka pasur një pritje për futjen në fuqi të një ligji të ri, ligji për investime strategjike, një pjesë e madhe e investitorëve që kanë ardhur këtu gjatë vitit 2016 ose në fillim të vitit 2017, vazhdimisht kanë pritur që të hy në fuqi kjo rregullativë e re për investitorët strategjikë. Fatkeqësisht pothuajse i tërë vitit 2017, përfundoi e Qeveria në anën tjetër, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk arriti të finalizonte aktet sekondare, legjislative, pra udhëzimet administrative që do ta bënin të mundur futjen në fuqi të ligjit për investimet strategjike”, tha Zeka.
Sipas tij, Qeveria e re kishte sjell entuziazmin tek bizneset, mirëpo nuk pati vendime në favor të bizneseve për ta lehtësuar të bërit biznes.
“Ardhja e Qeverisë së re ka sjell njëfarë entuziazmi tek bizneset, sidomos kjo dinamika e shtyra e Qeverisë për sa i përket mbajtjes së derës hapur, nuk po e themi në aspektin e vendimmarrjes meqë nëse vendimet e rëndësishme sërish kanë munguar. Le të kujtojmë kjo Qeveri nuk e ka implementuar vendimin e Qeverisë së kaluar për sa i përket pakos fiskale 2.0 . Pra sërish ajo çfarë ndodh është një mungesë e konsistencës së Qeverisë, Qeveria e re nuk zbaton vendimet e Qeverisë së kaluar, gjë që nuk është diçka e re”, tha Zeka.
Përveç pakos fiskale, ai pret që vitin 2018 të hyjë në fuqi edhe ligji për pushimet tatimore.
“Çështja se si do të vendoset pushimet tatimore, kush do të jenë përfituesit në bazë të cilave kritere, duhet të rregullohet me udhëzimin administrativ dhe fatkeqësisht ky udhëzime administrativ tashmë mbi 2 vite e gjysmë nuk është përgatitur nga ana e asnjërës Qeveri. Edhe kjo është për çdo keqardhje“, tha Zeka.
Ai po ashtu pret që në vitin 2018, shteti të fuqizojë rendin dhe ligjin, si dhe të luftojë korrupsionin.
“Gjitha ndryshimet ligjore të cilat kanë ndodhë vitin e kaluar nuk do të sjellin asnjë rezultat konkret, nuk do të kenë asnjë efekt nëse vendi nuk arrin që t’i promovojë përparësitë e saj para investimeve potenciale. Trepça natyrisht duhet të demitizohet e para që duhet ta shohim Trepçën dhe potencialet e saj prej një këndvështrimi më pragmatik, të jemi më realist për sa i përket potencialeve të cilat ekzistojnë brenda Trepçës po edhe mundësive të cilat shteti i ka në këtë rast Qeveria e vendit për investime të reja“, tha Zeka.
Ai pret që të gjitha mangësitë dhe ngecjet që kanë ndodhur në vitin 2017, të përmirësohen në vitin 2018.