Bizneset, në telashe me mungesë të energjisë

Mosstabilizimi i energjisë elektrike edhe në vitin 2015 po del të jetë problemi kyç për bizneset vendore. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, po u shkaktojnë humbje atyre sidomos në lëndën e parë dhe në prishjen e aparaturave.
 
Përfaqësues të bizneseve thonë se po përballen me ndërprerje të energjisë thuajse shumicën e ditëve deri në katër orë pa energji.
 
Ata thonë se mijëra euro kanë humbje në vit.
 
Por, zyrtarë të KEDS-it një gjë të tillë nuk e pranojnë publikisht.
 
Sipas tyre, ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ardhur si pasojë e prishjeve në rrjet.  
 
Shaqir Palushi nga kompania “Relax” në Suharekë ka thënë se humbjet më të mëdha si pasojë e ndërprerjes së energjisë, iu shkaktohet në lëndën e parë.
 
“Çdo ditë thuajse njëjtë, përballemi me reduktime deri në katër orë të energjisë, ku këto ndërprerje po na shkaktojnë dëme të konsiderueshme sidomos në lëndën e parë”, ka thënë Palushi, sipas të cilit, humbje të mëdha po shkaktohen edhe në makineri.
 
“Edhe në makineri po na shkaktohen dëme edhe për shkak të ndërprerjes edhe për shkak të tensionit të ulët. Ne po kemi ndërprerje të energjisë edhe pse jemi pagues të rregullt të energjisë”, ka thënë ai.
 
Edhe përfaqësuesi nga kompania “Miros” nga Ferizaj, Shefqet Bajrami, ka thënë se dëmtimet më të mëdha janë në lëndën e parë.
 
“Në fshatin Mirosale ku gjendet edhe kompania jonë ka ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike. Edhe ka reduktime edhe rrjeti në këtë fshatë është shumë i dobët ku shpesh herë po ka edhe prishje”, ka thënë si.
 
Sipas Bajramit, mbi 20 mijë euro gjatë vitit detyrohet të blejnë naftë, që sipas tij, kjo po ndikon në uljen e kostos së prodhimit.
 
“Neve këto ndërprerje po na shkaktojnë vështirësi dhe dëme të mëdha pasi që deri në 20 mijë euro naftë në vit paguajmë për shkak të mosfurnizimit me energji, gjë që dihet se nëse punohet me gjeneratorë humbjet janë shumë të mëdha”, ka thënë ai.
 
Edhe Besar Njojani nga Kompania “Uji i Rugovës” ka thënë se ndërprerjet e energjisë elektrike po ndikojnë në uljen e prodhimit, dhe në defektet në teknologjinë e prodhimit.
 
Ai ka thënë se kanë ndërprerje deri në katër orë. 
 
Ndryshe, Njazi Shaqiri nga kompania “Frutomonia” në Gjilan, ka thënë se për shkak të ndërprerjeve të shumta që kanë pasur, ata tashmë kanë vendosur një trafo që të ketë stabilitet të energjisë.
 
“Tash me vendosjen e trafos nuk po kemi reduktime të energjisë vetëm nëse ka prishje të rrjetit”, ka thënë ai.  
 
Ndërkaq, Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS, ka thënë se për shkak të rrjetit të dobët të energjisë elektrike po ndodhin ndërprerjet me energjisë, por jo për shkak të reduktimeve.
 
“Nuk ka reduktime të energjisë elektrike. Sidoqoftë, mund të ketë ndërprerje për shkak të prishjeve. Kohëzgjatja e rregullimit të prishjes varet nga lloji i prishjes derisa gjatë ditës mund të ketë edhe implementim të planeve të mirëmbajtjes ose projekteve investuese”, ka thënë ai.  kohaislame
Artikulli paraprakPolitikanët serbë të Listës Serbe ndajnë 5 përqind të pagave të tyre për Kishën Ortodokse në Kosovë
Artikulli vijuesLondër: Euro në nivelin më të ulët që prej 11 vjetësh