Blerim Shala, koordinator i dialogut Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga emëroi Blerim Shalën koordinator politik për dialogun Kosovë-Serbi.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 83 dhe nenin 84, pika 2 dhe pika 4, dekretoi zotëri Blerim Shalën, koordinator politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i presidentes Jahjaga, transmeton REL.

Në bisedimet teknike të zhvilluara deri në fillim të këtij viti, Kosovën e ka udhëhequr në bisedime, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, kanë zhvilluar deri më tash dy takime në Bruksel, në atë që është vlerësuar si dialog i nivelit më të lartë.

Kabineti i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka dhënë detaje në lidhje me rolin që do ta ketë, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala në këtë proces të dialogut.

Gjithashtu nuk dihet nëse do të formohen grupe punuese, apo cilët do të jenë hapat e ardhshëm të palës kosovare në përballjen me delegacionin serb.kohaislame

Artikulli paraprakMyftiu Tërnava mori pjesë në Konferencën e 8 të Këshillit të Lartë Islamik të Evro-Azisë
Artikulli vijuesFSK me uniformë të re