FSK me uniformë të re

Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga e hëna do të paraqitet me uniformë të re, e cila është sipas standardeve më të larta të NATO-s por edhe me identitet kombëtar.

Ministri i FSK-së, Agim Çeku ka deklaruar për “Radio Kosovën” se uniforma do të promovohet në ditën e FSK-së dhe në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së shtetit shqiptar.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës do të duken ndryshe gjatë manifestimit të ditës së tyre dhe gjatë festimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar.

“Kemi vendosur ta ndërtojmë forcën identifikuese me standarde me te larta të NATO-s, por me identitet kombëtar”, ka theksuar Çeku.

Ndërkaq, Komandanti i FSK-së Gjeneral Lejtnant Kadri Kastrati ka thënë se FSK-ja do të paraqitet me uniformë te re me 26 nëntor, në orën 10:00, kur fillon rreshtimi për të shënuar ditën e FSK-së. Ai ka theksuar se kjo uniformë është qepur në Kroaci.

“Ne e kemi marrë një vendim dhe me urdhër është caktuar që me 26 nëntor të gjithë pjesëtarët e FSK-së në orën 10 ta veshin kur fillon edhe rreshtimi për të shënuar ditën e FSK-së. Është një uniforme e bukur që vet e kemi dizajnuar dhe është qepur në Republikën e Kroacisë”, ka theksuar Kastrati.

Për herë të pare uniforma do të vishet më 26 nëntor në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të shënohet Dita e FSK-së. Dy ditë më vonë, përkatësisht më 28 nëntor, pjesëtarët e FSK-së do të shihen duke parakaluar në sheshin e Tiranës, krahas Forcës së Armatosur të Shqipërisë.kohaislame

Artikulli paraprakBlerim Shala, koordinator i dialogut Kosovë-Serbi
Artikulli vijuesROSU hyn te Kroi i Vitakut