Bllof apo bombë? Ja si gëzon Koreja e Veriut për bombën-H

Kur lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, deklaroi pak ditë më parë se ata kanë gati bombën me hidrogjen, pati shumë pikëpyetje nga ekspertët.

Megjithatë, vendi komunist ka njoftuar zyrtarisht se ata kanë testuar për herë të parë bombën me hidrogjen- një armë më e fuqishme se bomba atomike.

Televizioni shtetëror, përmes spikeres më të njohur, shpalli këtë lajm “të madh”.

Edhe pse nuk dihet ende nëse është një lajm i vërtetë, bota ka reaguar me kritika të ashpra.

Koreja e Jugut ishte e para që deklaroi se ky është një provokim i rëndë për sigurinë kombëtare.

Sipas BBC, pavarësisht pretendimeve të Koresë së Veriut, ekspertët janë skeptikë se ky vend mund të prodhojë armë bërthamore mjaftueshëm të vogla sa për t’u vendosur në raketa.

Vëzhguesit thonë se ka pasur një shpërthim bërthamor në këtë vend, më i madh se ai i vitit 2013, por sërish jo mjaftueshëm i fuqishëm sa një shpërthim termonuklear- ose ndryshe me bombën-H.

Do duhen ditë të tëra për të verifikuar këto pretendime të Koresë së Veriut.

Bomba me hidrogjen do përforconte ndjeshëm kapacitetet shkatërrimtare të këtij vendi.

Përpara testimeve, media e këtij vendi kishte theksuar se “vendi ynë meriton të ketë armë bërthamore, për t’iu kundërvënë kërcënimeve bërthamore nga SHBA”.

Ekspertët thonë se do duhen vite derisa ky vend të mund të godasë një shënjestër me raketë me mbushje bërthamore.

Megjithatë, vendi diktatorial duket i vendosur në këtë rrugë.

Artikulli paraprakErdogan i hedh benzinë zjarrit: Ja sekreti i Putinit
Artikulli vijuesVIDEO: Duhani – shqetësim serioz