Bota muslimane nën presionin e qarqeve islamofobike sërish

(Një film krejtësisht i trilluar me nxitje të qarta islamofobike kuptohet që nuk synon të vërtetën, por reagimin e ashpër të botës muslimane. Vazhdimisht gishti mediatik është ngritur ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit të Islamit, e fatkeqësisht kësaj i kanë shërbyer ndjenjat euforike të disa muslimanëve.)

Një film krejtësisht i sajuar dhe i trilluar me akuza të rreme mbi Profetin Muhamed alejhi selam dhe muslimanët si terrorista e vrasës ordinerë ka ngjallur zemërimin e të gjithë botës muslimane. Reagimet kanë qenë tejet të ashpra madje edhe kanë kaluar në ekstrem, ku janë sulmuar ambasadat amerikane në disa vende muslimane pa qenë ato përgjegjësit e drejtpërdrejt të këtij filmi irritues e fyes ndaj profetit tonë të dashur alejhi selam. Fatkeqësisht vrasja e diplomatëve amerikanë në Benghazi ka përkuar edhe me përkujtimet e 11 shtatorit dhe kështu duke krijuar konotacione negative e për pasojë duke e rritur në maksimum tollovinë e krijuar nga këta njerëz meskinë. Një provokim i disa personave islamofobë, të pajisur me një urrejtje të qartë ndaj profetit të Islamit ka arritur të ndezë zemërimin e mbarë muslimanëve, e sidomos në vendet e Afrikës veriore të sapodala nga revolucionet e pranverës arabe. “Çuditërisht” Libia dhe Egjipti kanë qenë në qendër të këtij cikloni, e më tepër të bën përshtypje Libia, një vend i cili po përjeton një atmosferë të ngjashme me atë tonën në vitin 1998, kur armët akoma qarkullonin lirshëm dhe mund ta humbasësh jetën edhe nga ndonjë plumb qorr. Ndërkaq të gjithë liderët arabë e muslimanë i kanë dënuar me forcë këto shfaqje islamofobike, që kryen në emër të “lirisë së fjalës”, por edhe dëmet e bëra nga protestuesit gjithashtu. Fatkeqësisht me diferenca kohore të ndryshme po ndërmerren sulme ndaj figurës së dashur të profetit tonë Muhamed, duke na treguar kështu se qarqe të ndryshme të interesuara ndaj vendeve muslimane nuk dëshirojnë qetësimin dhe mbarështrimin e këtyre vendeve. Tashmë ky është një mekanizëm i testuar qysh më 2006 me rastin e publikimit të karikaturave fyese në gazetën daneze “Jylland Posten”, e cila po si edhe në ngjarjet e fundit shkaktoi zemërimin e të gjithë botës muslimane me protesta të ashpra. Asokohe qe një provokim si rrufeja në qiell të hapët, ndërsa sot vërehet se presioni po ushtrohet mbi vendet e “pranverës arabe”.

U dhanë disa versione mbi realizimin e filmit, por ajo që është e sigurt shihet në deklarimin e synimeve të producentit dhe sponsorëve të këtij filmi të fëlliqur. Kjo video ishte projektuar për të shkaktuar zemërimin e muslimanëve dhe pa dashje ne ua furnizuam këtë gjë. Porse duhet të kemi parsysh porosinë kuranore, e cila thotë: “Le të jetë nga ju një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Kuran, 3: 104). Po ashtu duhet të kemi parasysh se si ka vepruar Resuli alejhi selam në raste analoge. Kujtojmë këtu rastin e hebreut që i tha: Vdeksh, dhe Profeti jonë me qetësinë më të madhe ia ktheu gjithashtu. Gjithsesi ka pasur edhe reagime si në rastin e Britanisë, ku një grup vëllezërish shpërndanë Kuranin falas, si dhe fletushka e broshura për Muhamedin alejhi selam. Ky duhet të jetë një reagim ndaj të gjithë atyre që provokojnë, sepse tashmë është bërë si normale të protestohet dhe kjo e fundit më solli ndërmend statusin e facebook të një hoxhe, i cili me pak ironi dhe shumë dashamirësi shkruante:

Kontrast: Në namaz të sabahut një saf me pleq – Allahu i ruajtë; ndërsa nëpër protesta për ta “ndihmuar” Pejgamberin me qindra e me mijëra të rinj dhe të reja- Allahu i udhëzoftë!/e-zani

Aldo Hysa

Artikulli paraprakNËNKRYETARI I LDK-SË, ADERON NË PDK
Artikulli vijuesAPARATI DIGJITAL MË I FUQISHËM NË BOTË