NEW YORK (AA) – Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka pranuar se Ankaraja zyrtare ka siguruar prova konkrete që kanë të bëjnë me liderin e organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, të cilat njëherësh dëshmojnë se ai është truri që ka organizuar tentativën e fundit për grusht shteti në Turqi, deklaroi ministri i turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e ministrit Bozdag, i cili është duke shoqëruar Presidentin Recep Tayyip Erdoğan në vizitën e tij në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u bënë gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve.
“Kemi informacione të mjaftueshme, dokumente të cilat dëshmojnë se Fetullah Gülen është lideri i këtij grupi terrorist i cili tentoi të kryej puç“, tha Bozdag duke folur për organizatën të cilën Ankaraja zyrtare e fajëson për puçin e dështuar.
“Biden gjithashtu pranoi këtë dhe deklaroi se ka prova konkrete”, tha më tej Bozdag për të shtuar se pret nga SHBA-të të ndërmarrin hapin e dytë që nënkupton arrestimin e përkohshëm të Gülenit.
“Shpresojmë që kjo punë të mos zvarritet dhe të bëhet së shpejti”, tha Bozdag.
“Kërkuam arrestim të përkohshëm për Gülenin me arsyetimin se asi qëndron prapa tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Ai është terrorist ndërsa sulmin e menaxhoi nga Pennsylvania (në SHBA)”, tha ministri turk i Drejtësisë.
Ankaraja zyrtare mban qëndrimin se tentativa për grusht shteti në Turqi më 15 korrik është organizuar nga ndjekësit e Gülenit i cili që nga viti 1999 jeton në ekzil të vetëshpallur në Pennsylvania të SHBA-ve.
Gülen gjithashtu akuzohet se ka drejtuar një fushatë të gjatë për përmbysje të shtetit përmes njerëzve të tij të infiltruar në institucionet e shtetit, sidomos në polici, ushtri dhe gjyqësor duke formuar atë që njihet si “shtet paralel”.