Bravo mbret: Shpërbleu popullin me 18 buxhete të Kosovës!

0
179
Argjendarive në Riad të Arabisë Saudite, po fërkojnë duart. Siç thonë ata, këto ditë ka më shumë myshterinj sesa që mund të shërbejnë. Mu për këtë, televizionet e njohura kanë bërë reportazhe, në mesin e të cilave edhe NBC.

Dyndjet e tilla drejtë shitoreve të gjësendeve të vlefshme, nuk janë të rastësishme, sepse mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud, në kohën kur pjesa më e madhe e botës është në borxhe, ka vendosur të shpërblejë qytetarët e tij me afro 32 miliardë dollarë.
 
Këtë vendim ai e ka marrë muajin e kaluar kur e ka trashëguar mbretin e ndjerë, gjysmë-vëllain Abdullah bin Abdulaziz Al Saud. Fjala është për shumën që tejkalon buxhetin e Nigerisë, e që paraqet ekonominë më të madhe afrikane. Apo, në krahasim me shqiptarët, kjo shumë është sa afro 18 buxhete të Kosovës apo 9.5 të Shqipërisë, transmeton Telegrafi.
 
Sipas të dhënave të ofruara nga New York Times, rreth tre milionë të punësuar – nga 5.5 sa janë gjithsej – do të fitojnë dy paga mujore, që sipas standardit i bie afro pesëmijë dollarë. Pos kësaj, paratë do të ndahen për klubet sportive, për artin dhe shoqatat tjera profesionale. Ndërsa, do të ketë investime edhe në ujësjellës dhe energji elektrike.
 
Investimet e mëdha të Qeverisë nuk janë risi në këtë vend, pasi shumë hapësira rurale kanë përparuar pikërisht për shkak të investimeve të mëdha, për çka fshatarët nuk po merren me bagëti por vozisin xhipa dhe po flasin me iPhone.
 
 
Në këtë mënyrë ai u bë shumë popullor në mesin e banorëve.
 
Përveç kësaj, sipas vlerësimeve të fondeve të mëdha të investimeve, rënia e çmimeve të naftës mund të reduktojë të ardhurat e tregtisë së Arabisë Saudite me “ar të zi” për rreth 20 për qind, gjë që mund të rezultojë në rritje të deficitit, prandaj kjo dhuratë tingëllon edhe më interesante.
  
“Fakt është se shumica e popullsisë varet nga subvencionet e Qeverisë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Por, një ditë do të zhduket edhe nafta jonë, kështu që nuk mendoj se nuk është mirë ta lazdrojmë popullin kështu”, thotë Abdullah al-Alami, shkrimtar dhe ekonomist saudit, në një bisedë për New York Times.
 
Por, për këto që u cekën nuk mendon kush. Sauditët kanë filluar të shpenzojnë paratë, shkruan Times of India. Madje edhe rrjeti social Twitter është plotë shaka që kanë të bëjnë me sasinë më të mëdha të parave të sauditëve në kuleta. Po blihen bizhuteritë dhe dukati, disa martohen me gruan e parë, me të dytën apo të tretën, e disa i dhurojnë paratë për bamirëse. Ka edhe të atillë që po i lajnë borxhet, pasi paga mujore në Arabi mjafton për të gjitha nevojat e tyre. Ka të tillë si Sahir Mohammed, mësues i shkollës së mesme, që ka vendosur që paratë t’i shpenzojë për një banesë me qira dhe bileta për transport. Njëjtë si ky po veprojnë edhe shumë të tjerë.
 
Vlen të përmendet se ata që kanë biznese private nuk kanë harruar punonjësit e tyre. Pas vendimeve të mbretit, disa kompani private kanë bërë të njëjtën gjë duke shpërblyer punëtorët, e kjo po i gëzon edhe më shumë tregtarët në këtë pjesë të botës.kohaislame