Britani, tërhiqet filmi vizatimor “Zjarrfikësi Sam”, personazhi kryesor shkel mbi faqet e Kuranit

Në inçizim mund të vërehet qartë se bëhet fjalë për faqe të Kuranit, më konkretisht tekst të shkruar me shkronja arabe

LONDËR (AA) – Rrjeti komercial televiziv, Channel 5, transmetuesi i pestë kombëtar në Britani të Madhe ka tërhequr nga programi i saj episodin e filmit të vizatuar për fëmijë “Fireman Sam” (Zjarrfikësi Sam) në të cilin personazhi i tij kryesor shkel mbi faqet e Kuranit, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”, në episodin e shtatë, zjarrfikësi i cili gëzon një popullaritet tek fëmijët, duke mbajtur në dorë një pjatë me gota të mbushura shkel mbi disa letra.

Në inçizim mund të vërehet qartë se bëhet fjalë për faqe të Kuranit, më konkretisht tekst të shkruar me shkronja arabe.

Producenti i emisionit “HIT Entertainment”, ka kërkuar falje të parezervë nga shikuesit.

Kompania e cila pas vetes ka edhe filmat e popullarizuar vizatimor “Bob ndërtuesi” dhe “Pingu”, në një komunikatë të publikuar ka njoftuar për ndërprerje të bashkëpunimit me studion e animacionit të cilën e fajësojnë për gabimin e bërë.

“Ndiejmë keqardhje të thellë për gabimin që ka ndodhur. Ne sinqerisht kërkojmë ndjesë për shqetësimin që kjo mund të ketë shkaktuar. Nuk do të bashkëpunojmë më me studion që e bëri atë. Përveç kësaj, ne kemi marrë të gjitha masat për të siguruar që episodi kontrovers është hequr menjëherë nga qarkullimi”, thuhet në deklaratë.

Ndihmës sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Musliman të Britanisë së Madhe, Miqdaad Versi, në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se “nuk e ka të qartë se çfarë kishte menduar producenti i filmit të animuar kur i është shfaqur kjo ide”.

Lajmi i tërheqjes së episodeve të diskutueshme është transmetuar nga shumë media ndërkombëtare të cilat kanë shkruar se incidenti është një “akt islamofobik që nuk është bërë rastësisht”.

 

Artikulli paraprakHyn në fuqi ligji që ndalon përfshirjen në luftëra të huaja – Mars 2015
Artikulli vijuesAnalisti në BBC për ngjarjet në Turqi: puçistët bënë gabim të madh që nuk e vranë Erdoganin (video)