Bulliqi, pesimist për tryezën e liderëve

Njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, shprehet pesimist rreth tryezës se liderëve, e cila pritet të mbahet menjëherë pas kthimit të kryeministrit Mustafa nga vizita e tij në ShBA.

Deputeti i LDK-së, thotë se nuk pret shumë rezultate për faktin se kjo nuk është çështje politike, por është çështje tipike profesionale.

“Më thënë të drejtën nuk pres shumë rezultate, sepse kjo më shumë se çështje politike është profesionale dhe profesionistët e kanë thënë fjalën e vet. E kanë thënë dy palët edhe Komisioni Shtetëror edhe grupi i ekspertëve të pavarur. Mirëpo, të dy palët kanë mbrojtur qëndrimet e tyre, ndërsa në realitet është vetëm një e vërtete dhe ajo duhet të gjendet në aspektin profesional e shkencor. Nuk besoj se mund të gjendet në aspektin politikë, por sidoqoftë bisedimet janë të mirëpritura ”, ka thënë deputeti Bulliqi për Indeksonline.

I pyetur se a ka qenë i shtrënguar kryeministri Mustafa nga presidenti Thaçi për të mbrojtur versionin aktual të demarkacionit, Bulliqi ka thënë se nuk dëshiron me komentu në këtë drejtim. Duke shtuar se Mustafa ka qenë i obliguar të mbrojë versionin aktual, sepse kjo i është servuar nga Komisioni Shtetëror, i kryesuar nga Murat Meha.

“Unë nuk e di a ka filluar të tërhiqet kryeministri ose jo. Ai i ka bërë disa lëvizje edhe në teren edhe me disa institucione shtetërore edhe mund të ndodhë qe të ketë informacione shtese të cilat kanë qenë relevante dhe të nevojshme për të. Ose me forcu bindjen ose me ndryshu bindjen”, ka theksuar Bulliqi.

Kabineti qeveritar ka paralajmëruar se pas kthimit të kryeministrit Mustafa nga SHBA, ai do të takohet më të gjithë faktorët relevantë përfshire edhe opozitën.

“Kryeministri Mustafa posa të kthehet nga Neë Yorku do t’i përkushtohet agjendës së demarkacionit ku përfshihen edhe takimet me opozitën”, ka thënë këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu për Indeksonline.

Artikulli paraprakAhmeti: Banesat ishin të zaptuara, vendimin e zbaton Gjykata dhe jo Komuna
Artikulli vijuesAKP në nguti për Trepçën, do të paguajë 600 mijë € për studimin e ndërmarrjes