Buzhala: Doktorëve të shkencës u mbetet të kryejnë vetëm edhe filloren

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës nisi me kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike, Berat Buzhala për formimin e një komisioni, që do të shqyrtonte validitetin e doktoratave në Kosovë, të fabrikuara nga viti 1991 e këndej.

Ai tha se nga ai vit numri i doktorëve të shkencës në Kosovë është tetëfishuar, nga të cilët ka edhe të papunë. Ai ironizoi me numrin e tyre duke rikujtuar një barsoletë, sipas të cilës “doktorëve në Kosovë tani u mbetet të kryejnë vetëm edhe shkollën fillore”.

Buzhala hodhi dyshime në vlerën shkencore të tyre dhe dhënien e këtij titulli pa kritere shkencore. Posaçërisht vuri theksin në doktoratat që kanë marrë personat publikë, zyrtarë e funksionarë.

Ai, pasi përmendi rastin e dorëheqjes së ministres së Arsimit në Gjermani për shkak të doktoratës plagjiaturë, shtoi se të tilla janë prodhuar me shumicë në vendin tonë. Kërkoi që të formohet një komision ekspertësh ndërkombëtarë për vlerësimin e tyre, transmeton “Koha”.

Ai shfaqi brengën për situatën në arsimin e Kosovës. Ditë më parë, në një emision televiziv, Buzhala tha për ministrin e Arsimit të Kosovës, Ramë Buja, se nuk është duke punuar në dobi të arsimit, por në dobi të interesave personale. Buja është një nga anëtarët e kreut të PDK-së. /Telegrafi/

Artikulli paraprakArrestohet 20-vjeçari, shantazhoi me video
Artikulli vijuesNë Radivojc të Gjilanit, arrestohet pronarja e hotelit që mundësonte prostitucion