Buzhala: Kadri Veseli përgjegjës për gjendjen e tanishme

Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala vazhdon të jetë kritik ndaj zhvillimeve brenda partisë që i takon. Gjatë një interviste për Tribunën, një pjesë të “fajit” për gjendjen aktuale në partinë që qeverisë vendin, ai ia ka hedhur nënkryetarit Kadri Veseli.
“Pas kritikave që unë vazhdimisht i kam bërë ndaj segmenteve qeverisëse apo edhe partiake, e kam parë se asgjë nuk po lëviz në drejtim të zgjidhjes së tyre. Prandaj, duke e nuhatur një situatë të tillë vendosa qe t’i ‘trokas’ në derë atë që unë e konsideroj (Kadri Veselin) njërin prej njerëzve më përgjegjës për gjendjen e tanishme, ndaqi për të mirë ndaqi për të keq”, ka thënë Buzhala.

Deputeti ka shtuar se pakënaqësitë e tij ndaj PDK-së janë të shumëfishta. Ai e ka kritikuar edhe nominimin e Agim Çekut për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, pasi sipas tij ky subjekt ka pasur emra tjerë për këtë pozitë.

“Në vend se PDK të konkurronte në Prishtinë me Memlin apo Blerandin, ne kemi bërë hapa prapa duke e nxjerr prej arkivave të luftës Agim Çekun. Me keqardhje e them se të gjithë subjektet politike me ndikim në garën për Prishtinë kanë shënuar hapa para, pos PDK-së dhe LDK-së”, ka vlerësuar Buzhala.

Ai gjatë kësaj interviste ka folur për marrëdhëniet e tij me kreun e PDK-së, Hashim Thaçi dhe nënkryetarin Veseli si dhe raportet e këtyre dy të fundit me Fatmir Limajn. /Tribuna/

Artikulli paraprakAfganistan: Gjermania e dorëzon bazën te forcat lokale
Artikulli vijuesJemen: Tentohet rrëmbimim i ambasadores gjermane, vritet truproja