Cameron për çështjen izraelito-palestineze: Britania mbështet zgjidhjen me dy shtete
Kryeministri britanik, David Cameron dje në mbrëmje ka biseduar në telefon me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu ku dhe e ka uruar atë për fitoren e zgjedhjeve.
LONDËR (AA) – Kryeministri britanik, David Cameron, theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të besojë se zgjidhja me dy shtete në konfliktin e Lindjes së Mesme është rruga më e mirë për paqe të qëndrueshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Cameron dje në mbrëmje ka biseduar në telefon me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu ku dhe e ka uruar atë për fitoren e zgjedhjeve. Në një deklaratë nga kryeministria e Britanisë së Madhe në lidhje me bisedimin theksohet se Cameron ka shprehur qëndrimin e tij se pret me padurim të bashkëpunojë me qeverinë e re që do të krijohet në Izrael.
Në deklaratë gjithashtu theksohet se: “Cameron ka përsëritur edhe njëherë se si një partnere e ngushtë me Izraelin, Britania do të vazhdojë të besojë se zgjidhja me dy shtete në konfliktin e Lindjes së Mesme është rruga më e mirë për paqe të qëndrueshme dhe për siguri afatgjatë për mirëqenien e Izraelit. Dy kryeministrat gjithashtu kanë diskutuar edhe për negociatat për programin bërthamor të Iranit dhe kanë rënë dakord për parandalimin e Iranit që të ketë armë bërthamore”.
Ndërsa zëvendës kryeministri britanik, Nick Clegg javën e kaluar në një deklaratë shprehu qëndrimin e tij se deklaratat e kryeministrit izraelit, Netanyahu i cili kishte deklaruar se “do të dilte kundër krijimi të shtetit të Palestinës” ishin shumë shqetësuese dhe se këto deklarata do të mund të mundësonin njohjen e Palestinës nga qeveria Britanike.
Clegg, pohoi gjithashtu se “askush deri tani nga politikanët izraelitë nuk e ka bërë një gjë të tillë si Netanyahu, dhe se përjashtimi i mundësisë për një zgjidhjen me dy shtete është shumë shqetësues”./aa