Çfarë duhet të thuhet para dhe pas ushqimit?

Thotë Allahu Te’ala:

“O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” 2:172

1 – I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“O djalosh! (Para se të hash) përmende Allahun (thuaj “bismilah”), ha me dorë të djathtë dhe ha para vetes.”

2 – I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Kur ndonjëri prej jush dëshiron të hajë ushqim, le ta përmend emrin e Allahun para se të hajë (le të thotë “bismilah”). E nëse harron që ta përmend emrin e Allahut në fillim të ushqimit, atëherë le të thotë: “Me emrin e Allahut në fillim dhe në mbarim”.”

3 – Transmetohet se Ebu Hurajra radijallahu anhu ka thënë:

“Asnjëherë nuk gjente të meta në ushqim. Nëse i pëlqente e hante nëse jo e lente.”

4 – Transmetohet nga Vahshij se, një herë prej herësh, sahabët thanë: “O i Dërguar i Allahut, me të vërtetë ne po hamë por nuk po ngopemi!” Në atë rast, Profeti salallahu alejhi ue selem tha:

“A mos ndoshta ju po hani ndaras nga njëri-tjetri?”

Ata i thanë: “Po”. Pastaj, ai u tha:

“Tubohuni përreth ushqimit (sofrës) tuaj dhe përmendeni emrin e Allahut (thoni “bismilah” para se të filloni të hani) në mënyrë që të bëhet i begattë për ju.”

5 – I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Me të vërtetë Allahu është i kënaqur me robin i cili kur të hajë ndonjë ushqim e falënderon Allahun për të, ose kur të pijë ndonjë gjë e falënderon Allahun për të.”

6 – I Dërguari Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Kush ha ndonjë ushqim dhe thotë: “Falënderimi i takon Allahut i Cili ma mundësoi të ha këtë ushqim dhe më furnizoi pa mundësinë dhe fuqinë time,” do t’i falen mëkatet e tij të mëhershme.”

6 – Transmetohet nga një njeri i cili i kishte shërbyer Profetit salallahu alejhi ue selem, se e kishte të dëgjuar atë salallahu alejhi ue selem kur i ofrohej ndonjë ushqimi, thoshte:

“Me emrin e Allahut.”

Ndërsa kur përfundonte të ngrënit, thoshte:

“O Allahu im, Ti më ke ushqyer, Ti më ke dhënë për të pirë, Ti më ke dhënë pasuri, Ti më ke bërë të kënaqur (të mjaftohem me këtë ushqim), Ti më ke udhëzuar, Ti më ke dhënë jetë; andaj ty të takon falënderimi për të gjitha që m’i ke dhënë.”

7 – Kur Profeti salallahu alejhi ue selem e qonte sofrën e tij, thoshte:

“E falënderoj Allahun (me falënderime) të shumta, të mira e të bekuara; falënderime të cilat janë të pamjaftueshme dhe të pandërprera, pa të cilat nuk bën aspak (për të cilat kemi nevojë), o Zoti ynë.”

 

Ahmed bin Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë!)

Burimi: Sahihul-Kelimit-Tajjib, fq. 96-99

Artikulli paraprak7 vepra të përditshme që neglizhohen nga muslimanët
Artikulli vijuesNjë lidhje bashkëshortore mund të jetojë edhe pa dashurinë