Çfarë është NATO?

Traktati i Atlantikut Verior, është një dokument shumë i thjeshtë, në përputhje me natyrën e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe merr legjimitetin e tij nga kjo Kartë.
Në Traktat, vendet anëtare janë të angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive të tyre mbrojtëse, individualisht dhe kolektivisht, duke siguruar bazat për planifikimin e mbrojtjes kolektive.

Një nen tjetër i Traktatit siguron strukturën për konsultimet ndërmjet vendeve anëtare, kurdo që ndonjëri prej tyre ndjen se siguria e tij është në rrezik. Pikërisht ky nen thekson rëndësinë fundamentale të procesit të konsultimeve ekstensive që zhvillohen brenda Aleancës dhe shpjegon arsyet pse ajo ndërmerr misione të reja që kanë si pikësynim rritjen e sigurisë në mbarë zonën Euro-Atlantike.

Një nen tjetër – Neni 5 – i referohet të drejtës së vetë-mbrojtjes kolektive siç diktohet nga Karta e OKB-së. Ajo thekson se një sulm i armatosur ndaj një ose më shumë vendeve anëtare të NATO-s, konsiderohet si një sulm kundër të gjitha vendeve anëtare.
Pranimi i anëtarëve të ri në Aleancë është në përputhje me Nenin 10 të Traktatit i cili thekson se vendet e tjera Evropiane që përkrahin parimet e Traktatit dhe kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë së Atlantikut Verior, mund të ftohen për aderim. Pas pranimit të kohëve të fundit të Republikës Çeke, Hungarisë, dhe Polonisë, udhëheqësit e Aleancës kanë theksuar se dyert rrinë hapur për vende të tjera në të ardhmen.
Në nenet e tjerë të Traktatit thuhet se çdo vend anëtarë duhet të kontribuojë në mënyra të ndryshme në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare paqësore dhe miqësore, duke përfshirë forcimin e institucioneve të tyre të lira dhe avancimin e kushteve të stabilitetit dhe të mirëqenies. Traktati bën, gjithashtu, përpjekje për eliminimin e konflikteve ndaj politikës ekonomike ndërkombëtare të vendeve anëtare dhe për inkurajimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Transformimi i Aleancës
NATO-ja është një Aleancë që i përkushtohet mbrojtjes kolektive të vendeve të saj anëtare, si bazë për ruajtjen e paqes dhe garancisë së sigurisë në të ardhmen, por, duke ndjekur ndryshimet thelbësore që ndodhën në Evropë në vitet ’90, ajo është kthyer në një katalizator të zgjerimit të sigurisë dhe stabilitetit në mbarë Evropën. Transformimi i NATO-s pas mbarimit të luftës së ftohtë dhe ndarjes së Evropës ka për qëllim të krijojë një nivel më të lartë bashkëpunimi dhe mirëbesimi reciprok, nga i cili do të përfitojë mbarë Evropa. Në qendër të Aleancës janë vendet anëtare. Qeveritë e këtyre vendeve, duke u takuar së bashku, përfaqësojnë autoritetet politike më të larta të Aleancës. Kriza në Kosovë ishte në rendin e parë të ditës në Mbledhjen në Uashington (Washington Summit) në Prill të 1999. Udhëheqësit e NATO-s e vlerësuan situatën duke pasur si synim përforcimin e vendosmërisë së komunitetit ndërkombëtar për të sjell një zgjidhje politike të qëndrueshme dhe për të krijuar rrethanat për rivendosjen e paqes dhe ruajtjen e sigurisë së rajonit në të ardhmen. Mbledhja gjithashtu shënoi edhe 50 vjetorin e krijimit të NATO-s. Udhëheqësit e NATO-s riafirmuan jetëgjatësinë e vlerave të Lidhjes ndëroqeanike dhe disa nga qëllimet fundamentale të Aleancës – ruajtjen e lirisë dhe sigurisë së anëtarëve të saj, përkushtimin e saj ndaj parimeve të Kartës së OKB-s, mbrojtjen e demokracisë dhe luftën e vazhdueshme për zgjidhjen paqësore të polemikave.
Mbledhja e Uashingtonit ishte, gjithashtu, një rast i mirë për konsolidimin e ndryshimeve që kanë ndodhur tek NATO gjatë viteve ’90 pasi Aleanca është adaptuar me kërkesat e botës së sotme. Këto përfshijnë procesin e zgjerimit ; riformimin e strukturës ushtarake të Aleancës për ta bërë atë të aftë të përmbushë role të reja në fushën e përballimit të krizave, ruajtjes dhe mbrojtjes së paqes në zonën Euro-Atlantike ; si dhe përforcimin e rolit Evropian në çështjet e sigurisë.
Si pjesë e këtij transformimi, NATO po ndërton një partneritet konkret me shumë vende jo-anëtare me synim që të krijojë një Evropë më transparente në të cilën sfera e keqkuptimeve dhe e mosbesimit është zvogëluar.
Në qendër të kësaj ideje është programi « Partneritet për Paqe » (PfP), i cili nxit bashkëpunimin ndërmjet Aleatëve të NATO-s dhe 26 vendeve Partnere në një sërë aktivitetesh në lidhje me sigurinë.
Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik (EAPC), që përfshinë 46 vende, bashkë me vendet anëtare të NATO-s, siguron strukturën politike të programit « Partneritet për Paqe » dhe një forum për diskutime rreth çështjeve që lidhen me sigurinë. Kryetarë Shtetesh dhe Qeverish nga 46 vendet u takuan në sesionin e mbledhjes së EAPC-së në Uashington, një ditë pas Mbledhjes së NATO-s.
Gjatë viteve të fundit, Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar lidhje të pavarura të veçanta me Aleancën, duke i dhënë atyre mundësinë të ndjekin programe bashkëpunuese në një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me sigurinë duke i sjellë përfitime vendeve të tyre dhe Evropës në tërësi. Të dy vendet janë anëtarë të Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik.
Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në disa nga këto programe, pas vendimit të Aleancës për ndërhyrje ushtarake për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Megjithatë, pavarësisht nga divergjencat në lidhje me përdorimin e forcës ushtarake, vendet e NATO-s kanë bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit qeveritarë Rus në kontekstin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë dhe për të sjellë një zgjidhje politike të qëndrueshme. NATO ka besim se bashkëpunimi NATO-Rusi do të rifillojë në një sferë më të gjerë dhe do të vazhdojë të zhvillohet pozitivisht. Përpjekjet e suksesshme të bashkëpunimit, së pari nëpërmjet forcës së Implementimit (IFOR) dhe më pas nëpërmjet Forcës së Stabilizimit (SFOR) në Bosnje-Hercegovinë, kanë qenë inkurajuese.

Një program i një bashkëpunimi të veçantë është gjithashtu në vazhdim, në kontekstin e Dialogut Mesdhetarë të NATO-s me 7 vende Mesdhetare jo-anëtare të NATO-s (Algjeria, Egjipti, Izraeli, Jordania, Mauritania, Maroku dhe Tunizia). Qëllimi i Dialogut Mesdhetarë është intensifikimi i sigurisë dhe stabilitetit ne Mesdhe. Siguria dhe stabiliteti në Mesdhe është i lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

Brenda vetë NATO-s, komitetet janë përgjegjëse për planifikimin paraprak në fushën e konsultimeve politike, planifikimeve dhe operacioneve mbrojtëse, bashkëpunimit të forcave të armatosura dhe të tjera. Komitetet paraqesin rekomandimin për të vepruar në Këshillin e Atlantikut Verior – organi më i lartë i NATO-s për marrjen e vendimeve – ose në Komitetin e NATO-s për Planifikimin e mbrojtjes, i cili merret kryesisht me problemet që lidhen me Strukturën ushtarake të integruar të NATO-s..
Konsultimet bëhen, gjithashtu, në lidhje me problemet ekonomike që lidhen me sigurinë, ku përfshihen çështje siç janë shpenzimet e mbrojtjes dhe transformimi i industrive të mbrojtjes për qëllime civile.

NATO siguron, gjithashtu, një forum për një bashkëpunim aktiv ndërmjet vendeve anëtare dhe atyre partnere në fusha siç është planifikimi i urgjencës civile, ndihmë në rast katastrofe dhe programe për asistencë në fushën e shkencës dhe atë të ambientit. Megjithëse çdo shtet mbart përgjegjësinë kryesore për planifikimin e urgjencave civile, NATO punon për të siguruar që rezervat civile të Aleancës, kur e kërkon momenti, të mund të përdoren në mënyrën më efektive.

Roli i NATO-s në këtë rast është shpesh një rol koordinues. Në nëntor të vitit 1998, Qendra Koordinuese e Ndihmës ndaj Katastrofav
e e Euro-Atlantikut (EARDCC), që u inagurua Qershorin e kaluar, organizoi një operacion ndihme në zonat e goditura nga urija në Ukrainën Perëndimore. Duke ndjekur keqësimin e situatës brenda dhe rreth Kosovës, kjo Qendër, gjithashtu, luajti një rol kyç në organizimin e ndihmave humanitare nga NATO dhe vendet partnere për t’ia lehtësuar barrën refugjatëve Kosovarë dhe për të ndihmuar vendet fqinje.

NATO ka gjithashtu, një numër programesh shkëmbimi Ndërkombëtare në lidhje me problemet shkencore dhe ekologjike që shqetësojnë NATO-n dhe vendet partnere. Këto programe sigurojnë mbështetje për kërkimet shkencore të niveleve të larta, inkurajojnë zhvillimin e pasurive kombëtare shkencore dhe teknologjike, dhe bëjnë të mundur të arrihen kursime të kostos nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar. Një pjesë e këtyre aktiviteteve është ndërtuar me synim që të trajtojë problemet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit që prek vendet fqinje, të cilat mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet veprimeve kooperuese.

Marion Gajda
Student i Shkencave Politike dhe Institucioneve Europiane.

Artikulli paraprakArmët e zjarrit, shpikja dhe përdorimi
Artikulli vijuesQeveritë rajonale i drejtohen ndryshimit të klimës