Drejtori i CIA-s ishte pjesë e një operacioni për fshehjen e informacioneve në lidhje me vrasjen e presidentit amerikan, John F. Kennedy.
Sipas Mirror, 50 vjet pas vdekjes së JFK, agjencia duket se po pranon se ka pasur një sjellje të papërshtatshme brenda radhëve të saj në lidhje me një raport, që ishte sekret dikur.
Shefi i CIA-s, John McCone ishte në qendër të operacionit për mbulimin e vrasjes së Kennedy-t në nëntor të vitit 1963, raporton revista Politico.
Ai së bashku me të tjerë zyrtarë të lartë akuzohen se kanë fshehur informacione ‘zjarrvënëse’ në lidhje me këtë ngjarje.
Informacionet ishin kërkuar nga Komisioni “Warren”, i ngritur nga presidenti Lyndon Johnson për të hetuar vrasjen e JFK.
Sipas historianit të CIA-s, David Robarge, qëllimi ishte që komisioni të fokusohej aty ku agjencia besonte se qëndronte ‘e vërteta më e mirë’, pra që Lee Harvey Oswald, për motive ende të papërcaktuara, ka vepruar i vetëm në vrasjen e JFK.
McCone, që vdiq në vitin 1991, thuhet se ka fshehur informacione të rëndësishme në lidhje me ekzistencën e planeve të CIA-s për të vrarë ish-kryeministrin e Kubës, Fidel Castro, përcjell mapo.al.
McCone thuhet se u bind shpejt se Oswald veproi i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor nga Kuba ose ndonjë vend tjetër.
Kështu Komisioni “Warren” kurrë nuk hetoi me ndonjë lidhje të mundshme të vrasjes me faktin që Kuba kërkonte hakmarrje për komplotet ndaj Castro-s.
Raporti sugjeron se McCone fshehu prova se CIA mund të ketë qenë në komunikim me Oswald para vitit 1963.
Është sugjeruar gjithashtu se agjencia ka monitoruar me fshehtësi postën e Oswald, pasi ai tentoi të dezertojë në Bashkimin Sovjetik në vitin 1959, sipas Politico.