Cilat kritere për kufirin?

Qeveria e Kosovës përdor si kriter për caktimit e kufijve ndërkombëtar regjistrat kadastral të pronave private: territoret dhe njerëzit i përkasin shtetit ku janë regjistruar pronat private. Sipas kryespecialistit të qeverisë, Murat Meha, vendosja e këtij precedenti, sui genersi, të paparë në të drejtën ndërkombëtare, është në shërbimin tonë në të ardhmen: kur të shënohen kufijtë e Kosovës me Serbinë. Përndryshe do të shohim çka do të na ndodhë! Sipas tij, po të mos vihet ky kriter sui generis, që ta kemi si precedent të shënimit të kufijve me Serbinë, atëherë do të shohim sa shumë territore të Kosovës do të na i marrë Serbia me kritere të tjerë!Nuk ka mbetur shkencë që ka lidhje me politikën, me kufijtë, me të drejtën publike, ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve pa sjellë argumentet e veta kundër këtij kriteri dhe procedimi. Megjithatë kanë mbetur dhe disa gjëra për t’u thënë:

Së pari, me ose pa regjistrat kadastralë Serbia do të na marrë aq territore sa ajo mundet dhe aq sa ne jemi të gatshëm t’ia japim (si shpërblim që PDK dhe LDK të mbeten në pushtet sot, ose ndonjë e ngjashme nesër). Me ose pa kadastra Serbia na ka marrë tashmë mijëra hektarë tokë rreth manastirit të Deçanit, rreth patriarkanës së Pejës, rreth manastirit të Graçanicës, duke i nxjerrë si njësi ekstraterritoriale jashtë juridiksionit të qeverisë së Kosovës. Në proces është krijimi i bashkësisë me komuna serbe, si faza e parë e shkëputjes së tyre juridike nga qeverisja e Kosovës dhe shteti i Kosovës.

Së dyti, në të ardhmen, ashtu si në të kaluarën, Serbia do të na marrë aq territore sa ajo mundet dhe aq sa ne jemi të gatshëm t’i tradhtojmë e mos t’i mbrojmë. Lëvizja e territoreve mes shteteve do të mbetet raport mes mundësisë së përvetësimit dhe mundësisë së mbrojtjes, mes tradhtisë dhe patriotizmit. Me sa duket në të ardhmen e “afërt” (qindravjeçare) ashtu si në të kaluarën e “largët” (shekullore apo disavjeçare) kufijtë e shteteve nuk do të mbrohen me kadastra por me ushtri. Së paku deri sot nuk shohim asnjë shtet në botë të shpërbëj ushtrinë e ta zëvendësojë me nëpunësit kadastralë, as të shpërbëjë ministritë dhe repartet e mbrojtjes e t’i zëvendësojë me zyrat kadastrale (hipotekore) dhe nëpunësit e saj. Propozimi i qeverisë së Kosovës nëpërmjet “specialistit” të saj, Meha, të zëvendësohet mbrojtja e atdheut me armë me mbrojtjen me nëpunë civil kadastralë është një tjetër propozim sui generis dhe që bota ende nuk e ka parë as menduar ndonjëherë.

Së treti, në pyetjen se ç’mjete përdoren për mbrojtjen e atdheut, tashmë e kemi dhënë përgjigjen sui generis: nuk përdoret asnjë mjet, madje as gazi lotsjellës që përdoret gjerësisht kundër popullsisë civile dhe qytetarëve të vendit. Kjo përgjigje është dhënë nga qeveria e Kosovës dhe mbështetësit e saj nga shoqëria civile: është dhënë në faktin se derisa qeveria dhe Kuvendi i Kosovës po përpiqen ta tjetërsojnë një pjesë të territorit dhe të popullsisë së Kosovës në favor të një shteti tjetër dhe opozita po e mbron territorin dhe popullsinë me gaz lotsjellës duke e penguar qeverinë dhe Kuvendin ta kryej këtë tjetërsim, qeveria dhe mbështetësit e saj nga shoqëria civile janë deklaruar gjerësisht se për mbrojtjen e atdheut, të territorit dhe të shtetasve nga agresioni “paqësor’ malazez nuk lejohet përdorimi as i gazit lotsjellës dhe aq më pak i ndonjë mjeti tjetër më të fuqishëm. Sigurisht asnjë shtet tjetër i sotëm nuk e vë në dyshim se vendi mbrohet me të gjitha mjetet luftarake, përfshirë armët bërthamore dhe të shfarosjes masive, burgosja dhe ndëshkimi i tradhtarëve etj., etj. Mirëpo qeveria e Kosovës dhe mbështetësit e saj nga shoqëria civile ngulin këmbë në të qenët tonë sui generis: atdheu nuk mbrohet me asnjë mjet!

Së pesti, një fjalë e jona popullore thotë se “kur bën çka nuk ka bërë askush, të gjen çka nuk e ka gjet askënd”. Me fjalë të tjera, nëse vazhdimisht veten e trajtojmë si rast sui generis, të tjerët do të na trajtojnë si rast sui generis; domethënë regjistrat kadastralë si kriter i caktimit të kufijve me Malin e Zi nuk do të shërbejnë aspak si kriter, siç pretendon qeveria dhe Meha, nuk do të shërbejë aspak si precedent për shënimin e kufijve me Serbinë sepse në atë rast do të kërkohen dhe do të vihen kritere të tjerë sui generis, vetëm për atë rast, për Serbinë. Prandaj ne do të na gjej çka nuk e ka gjetur askënd: nuk do të mundemi të krijojmë as precedentë të të drejtës ndërkombëtare, asgjë, veç do ta kthejmë veten në shtet, në popull, në komb, sui generis, domethënë rast i përveçëm siç nuk është asnjë shtet, asnjë komb, asnjë popull në botën e shteteve, të kombeve, të popujve. Thjesht një kuriozitet në botë, por pa asnjë kontribut ndërtues për të.

Së gjashti, në historinë tonë as të popujve të tjerë, në historinë e lashtë as të re, nuk dihet ndonjë rast kur tradhtia nuk është paraqitur si patriotizëm, as kur tradhtarët kanë shpallur solemnisht se po tradhtojnë, as kur pushtimi nuk është paraqitur si sakrificë e pushtuesit në të mirën e të pushtuarit. Këtu nuk ka përjashtim sui generis as tani: një pjesë e territoreve dhe shtetasve të Kosovës kalohen në shtetin dhe pushtetin Malit të Zi për të mirën e tyre dhe tonën: të na hiqen vizat e udhëtimit dhe lëshimit të Kosovës, por edhe të zgjedhjeve “demokratike’ çdo katër vjet dhe kurrë më parë.

Në fund, nuk mund të mos përmend një dallim, i theksuar nga Elvis Hoxha, për dallimin mes nesh dhe hebrenjve: hebrenjtë ikën nga territori, për t’u kthyer mbas mijëra vjetësh; ne jemi këtu prej mijëra vjetësh, por na ikë vazhdimisht territori.

Pastaj pyesim pse bota na trajton ndryshe, sui genersi, pse ndaj nesh nuk i respektojnë vlerat që i respektojnë për veten dhe për popujt e tjerë, përfshirë popujt tanë fqinjë, mirëpo harrojmë se vetë duam me qenë “sui generis”. Prandaj, nëse nuk i dalim zot vendit tonë dhe vetes tonë, sot dhe tani, me ose pa kadastra, në të ardhmen do të na ndodh ç’na ka ndodhur në të kaluarën (dymijëvjeçare). Në fund të fundit do të jemi këtu, autoktonë, më të lashtët e Ballkanit dhe të Evropës, pa territor, pa shtet, krenar se nuk do të asimilohemi nën sundimin shekullor. Përndryshe dhe nëse duam të ardhme ndryshe; “për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, nxitoni burra se s’ka me pritë…”.
Hysamedin Feraj

Artikulli paraprakKosova përgjohet nga Serbia
Artikulli vijuesKompleksi i të huajit