Cili është shteti që më së shpejti po armatoset në botë?

Arabia Saudite në vitin 2014 është bërë importuesja më e madhe e armëve dhe pajisjeve ushtarake në botë, duke e kaluar Indinë, derisa arsye për këtë është gjendja e rëndë konfliktuoze në Lindjen e Afërt dhe në Azi, thonë ekspertët e kompanisë lidere në botë për tregtinë me armë, IHS Janes.

Gjatë vitit 2014, shitja e armëve është rritur për të gjashtin vit me radhë, duke e arritur vlerën prej 64.4 miliardë dollarë, në krahasim me vitin 2013 që ishte 56 miliardë. Kjo është rritje për 13.4 për qind, thuhet në dokumentacionin informues të Janes, me seli në Londër, transmeton Indeksonline.

“Deri të numri rekord ka ardhur për shkak të kërkimit të paprecedent të tregut për aeroplanët ushtarak, si dhe për shkak të rritjes së dhunës në Lindjen e Afërt dhe në Azi”, sqaron Ben Muriz nga ky grup.

Në raport që mbulon 65 shtete, thuhet se në vitin 2014 blerësi më i madh i armatimit në botë ka qenë Arabia Saudite në vlerë prej 6.5 miliardë dollarë. Në vitin 2013 India ishte e para në botë për import të armëve dhe pajisjeve ushtarake (5.5 miliardë dollarë), derisa Arabia Saudite ishte e dyta, mirëpo vitin e kaluar këto dy shtete i ndërruan vendet.

Me këtë, Arabia Saudite është bërë shtet i rëndësishëm për tregti me armë i SHBA-ve, transmeton Indeksonline.

“Importi saudit i armëve dhe pajisje ushtarake është rritur për 54 për qind, derisa gjatë vitit 2015 do të rritet për 52 për qind dhe do ta kap vlerën e 9.8 miliardë dollarëve”, thuhet në raport dhe shtohet se Lindja e Afërt është tregu më i madh botëror i armëve me rreth 110 miliardë dollarë të importit potencial në 10 vitet e ardhshme.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2014 kanë blerë pajisje ushtarake rreth 8.6 miliardë dollarë, që është më shumë se e gjithë Evropa Perëndimore.

Sa i përket eksportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, në raport thuhet se SHBA-të edhe më tej janë në vend të parë. Mbulojnë 2/3 e eksportit të armëve në botë, ku për çdo vit Amerika përfiton 23.7 miliardë dollarë.

Në vendin e dytë është Rusia, e cila më së shumti eksporton në Kinë. /Indeksonline/

Artikulli paraprakVëllau Arsim Sahiti, vendos ta shesë veshkën për strehën e fëmijëve!
Artikulli vijuesFiltri i cigareve nuk mbron nga kanceri