Çka po ndodh me pronat jashtë Kosovës?

Identifikimi i aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden jashtë territorit të Kosovës, vazhdon të mbetet sfidë për autoritete kompetente në vend.

Megjithatë, deri më tani thuhet se janë 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës në vende të ndryshme të rajonit, nga të cilat 110 gjenden në territorin e Serbisë.

Në bazë të ligjeve në fuqi, këto prona administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), dhe shteti ku gjenden pronat përkatëse, nuk ka të drejtë t’i përvetësojë.

Ekrem Hajdari, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, (AKP) në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se me gjithë problemet në identifikimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore jashtë territorit të saj, vitin e kaluar janë identifikuar disa asete të reja, që nuk kanë qenë në listat e AKP-së.

“Kjo çështje vazhdon të mbetet sfidë për ne, vazhdojmë të kemi probleme dhe pengesa në identifikimin e këtyre pronave. Vendet e rajonit në këtë drejtim nuk janë shumë bashkëpunuese”.

“Por, vitin e kaluar edhe në këtë fushë kemi shënuar rezultate. Pasi nëpërmjet ambasadave të Republikës së Kosovës ne kemi arritur që n]ë vendet gjegjëse, ku këto ambasada janë prezent, t’i identifikojmë disa asete që u takojnë ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, si në Bosnjë, Serbi dhe në Maqedoni”,ka thënë Hajdari.

Sipas tij, në bashkëpunim më institucionet e Qeverisë e Kosovës janë duke bërë përpjekje për zgjidhjen e problemit të këtyre aseteve.

“Tashmë jemi në procedurë që së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve tëJashtme me shtete relevante, t’i shikojmë mundësitë që t’i kthejmë ato asete nën administrimin tonë”, ka shtuar Hajdari.

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 36, në Bosnjë dhe Hercegovinë 18, kurse prona të tjera gjenden në Kroaci, në Maqedoni dhe në Slloveni.

Prej tyre, 17 prona i takojnë kombinatit metalurgjik “Trepça”. 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.

Por, menaxhimi i këtyre pronave, konkretisht në Serbi ka qenë i pamundur për arsye se Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e AKP-së.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike disa herë kanë deklaruar se zgjidhja e këtij problemi është çështje e komplikuar.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht faktit se pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës nuk mund të barten në pronësi të shteteve e ku gjenden, ai dyshon se disa nga to tashmë janë privatizuar apo shitur.

“Unë sa kam informacione, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve kosovare që kanë operuar në Serbi, janë privatizuar, por edhe disa ndërmarrje serbe në Kosovë, që me krijimin e AKP-së, ose janë privatizuar ose janë në fazën parapërgatitore për privatizim”, ka theksuar Bektashi.

Ndryshe, që nga fillimi i procesit të privatizimit në vitin 2003, AKP-ja ka privatizuar rreth 1500 prona brenda territorit të Kosovës dhe asnjë pronë në vendet e rajonit.

Kjo agjenci pritet që edhe shtatë vjet ta përmbyllë procesin e privatizimit të të gjitha aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.

Artikulli paraprakListë e gjatë e pacientëve që presin të operohen në zemër
Artikulli vijuesEkspertёt zbulojnë probleme tek sistemi i sigurisë së kompjuterëve dhe smartfonëve