Damask: Mbyllet rruga kryesore për në aeroport, pezullohen fluturimet

Rruga kryesore për në aeroport në kryeqytetin e Sirisë, Damask, është mbyllur, derisa trupat e Sirisë e kanë filluar atë që përshkruhet si sulmi kryesor kundër luftëtarëve kryengritës në këtë territor.

Në Damask, shfrytëzuesit thonë se Interneti dhe telefonia mobile janë bllokuar, ndërsa funksionojnë vetëm linjat fikse telefonike, me shpjegimin se Interneti ka probleme teknike.

Kryengritësit dhe qeveria e fajësojnë njëri-tjetrin për ndaljen e komunikimeve.

Në qytetin verior Alepo, aktivistët kanë thënë se nga sulmi i qeverisë janë vrarë së paku 15 civilë.

Sipas aktivistëve, në këtë luftë civile, që filloi në mars të vitit 2011, janë vrarë së paku 40 mijë njerëz.

 

 

Qeveria më vonë ka thënë se trupat e kanë pastruar autostradën nga “terroristët”, por kryengritësit kanë thënë se luftimet po vazhdonin.

Kjo ka ndikuar në dy kompani të fluturimeve, Emirates dhe EgyptAir, që t’i pezullojnë fluturimet në Damask.

Nga ana tjetër, qasja në Internet dhe në telefoninë mobile në gjithë Sirinë është ndërprerë.

Dy shërbimet për gjurmimin e Internetit, me seli në Shtetet e Bashkuara, kanë konfirmuar se Interneti ishte bllokuar ditën e enjte.

Qeveria dhe kryengritësit e fajësojnë njëri-tjetrin për ndaljen e Internetit.

Kjo është ndalja e parë e Internetit në gjithë Sirinë, prej fillimit të kryengritjes, që tashmë ka hyrë në muajin e 20-të.

Aktivistët thonë se qeveria duket se po përgatitet për ofensivën madhore kundër bazave të kryengritësve rreth Damaskut.

Artikulli paraprak100 vjet shtet shqiptar
Artikulli vijuesPërgjime bisedash telefonike në Kosovë?