Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane.
Gjatë vitit 2015, thuhet në raport, autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madh droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014. Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë.
Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhues kryesor narkotikësh të tjerë, substancash kimike bazë ose drogash sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogave. Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i narkotikëve të tjerë nuk është i shpeshtë, thekson raporti i DASH-it.
Sipas policisë shqiptare, thuhet në raport, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, u kapën 6.87 tonë marijuanë, u shkatërruan 689 815 bimë marijuane në një sipërfaqe prej 44 hektarësh, sipas identifikimit nga ajri të autoriteteve italiane. Autoritetet po ashtu kapën 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë.
Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër narkotikëve.
Raporti vjetor i DASH-it për narkotikët, përgatitet për Kongresin, në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendesh kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave./ZëriiAmerikës