DA’VETI NË SHTËPI

Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë e falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga ë vërtetë, s’ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran, 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisaë, 1)
“O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (Ahzabë, 70-71)
Tema e shqyrtimit në këtë punim të shkurtër është çështje shumë e rëndësishme. Këtë temë duhet ta njohin punonjësit islamë, ndërsa njerëzit e fushave të ndryshme duhet të dëgjojnë për të. Këtë e themi, sepse çdo familje kërkon një lloj shtëpie për të jetuar në të. Kjo shtëpi përfshinë një strukturë të plotë të shoqërisë. Aty ka prindër, fëmijë të vegjël dhe po ashtu ka të rritur, që kanë arritur pjekurinë, meshkuj e femra. Shtëpia është një institucion i kompletuar. Është një institucion më i vogël, nga i cili është ndërtuar shoqëria si tërësi.
Nëse i shikojmë shoqëritë, të cilat ekzistojnë dhe kanë ekzistuar në tërë botën, ne gjejmë se disa nga institucionet, që rëndom lidhen me ekzistencën civile, mund të mos jenë të pranishme. Për shembull, ka pasur shoqëri pa shkolla dhe shoqëri pa industri, e madje shoqëri pa qeveri. Në anën tjetër, kurrë nuk ka pasur shoqëri në botë pa shtëpi, në të cilën familjet do të gjenin rehati. Nuk ka rëndësi se a ka qenë shoqëria e pasur ose e varfër, e vogël ose e madhe, muslimane ose jomuslimane. Familjet jetojnë në shtëpi, të cilat ekzistojnë në të gjitha shoqëritë njerëzore. Një institucion me një rëndësi të tillë gjithëpërfshirëse dhe universale na tërheqë vëmendjen.

Shtëpia në ligjin islam
Një mënyrë për të çmuar rëndësinë e shtëpisë në Islam është hedhja e vështrimit në disa rregulla që i ka vendosur ligji islam lidhur me këtë:
Është e ndaluar hyrja në shtëpinë e ndokujt pa e pyetur dhe pa marrë leje nga banorët e saj. Allahu thotë: “O ju që keni besuar, mos hyni në shtëpi të huaj pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj.” (Nurë, 27)
Pra, nuk lejohet hyrja në shtëpinë e ndokujt pa pyetur së pari, dhe pastaj pa t’u dhënë leja. Ligji shkon edhe më larg se kaq. Ai rreptësisht e ndalon bile edhe shikimin në shtëpinë e ndokujt. Njëherë Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ishte në shtëpi duke i krehur flokët. Një njeri, i cili qëndronte jashtë shikonte vjedhurazi në të. Kur e vërejti i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), iu drejtua me fjalët: “Sikur ta dija se po më shikonit vjedhurazi do t’ju godisja me krehër në sy.” Arsyeja e vetme që është obligim për të kërkuar leje para se të hyni në një shtëpi është për shkak të shikimit.[1]
Rregulla islame këtu është mjaft e ashpër. Është e lejueshme që atij, i cili shikon vjedhurazi në shtëpi të huaj t’i shpohet syri, dhe kush e zbaton këtë nuk ka nevojë t’ia kompensojë për shpimin e syrit. Arsyeja për këtë është se shikimi në shtëpinë private të dikujt tjetër i humbë të drejtën për kompensim ligjor.
Ligji islam i vë theks të madh të drejtave të fqinjit. Kjo dëshmohet me numrin e madh të rregullave ligjore, të cilat paraqesin këto të drejta. Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Engjëlli Xhibril vazhdonte të më porosiste për të drejtat e fqinjit derisa fillova të dyshoj se ata do të marrin pjesë në trashëgimi.”[2]
Pëlqehet që namazet vullnetare të falen në shtëpi. I Dërguari i Allahut i urdhëronte muslimanët t’i kryenin këto namaze në shtëpi. Ai porosiste: “Mos i ktheni shtëpitë në varreza.”[3] Ai po ashtu thoshte: “Namazi më i mirë pas namazeve të detyrueshme, është namazi që personi e fal në shtëpi.”[4]

Falja në shtëpi i sjell falësit dobitë vijuese:
-E ruan falësin nga prirja për syefaqësi.
-Sjell shembull të mirë për anëtarët tjerë të familjes.
-E mban shejtanin larg shtëpisë duke ushqyer brenda saj një ambient të përkujtimit të Allahut dhe lutjeve.
-Kur në shtëpi falet namaz, shtëpia bëhet gati si xhami. Ndërsa kur nuk falet namazi në shtëpi, shtëpia bëhet si varrezë ku ligji islam e ndalon kryerjen e faljes.
-Sa keq bëhet kur shtëpitë tona bëhen vend i mëkateve dhe veseve të këqija. Këto shtëpia janë më të këqija se varrezat. Ato janë më afër shtëpive publike.

Kapitulli i parë
Thirrja në bindje ndaj Allahut në shtëpi
Islami e ka pajisur shtëpinë me një nder të veçantë. Na është obliguar neve për t’i thirrur anëtarët e shtëpisë në bindje ndaj Allahut. Nëse ne mundemi t’i bindim vëllezërit të kujdesen vetëm për çështjet e tyre në shtëpi dhe t’i drejtojnë përpjekjet e tyre për da’vet në shtëpitë e tyre, ne do të shohim se do të ndodhin mrekulli.
Nëse kombet më të fuqishme dhe më të pasura në tokë do të dëshironin të mobilizonin një ushtri misionare, për të ngritur një ide ose parim të caktuar, ata do t’ia dilnin të mobilizonin më së shumti disa mijëra persona. Në anën tjetër, nëse ne do të arrinim ta bindim çdo musliman fetar t’i kryejë detyrat e thirrjes në Islam brenda familjes së tyre, imagjinoni çfarë rezultati do të kishte. Rasti do të ishte ku miliona njerëz do të mobilizoheshin për punë islame, pa u ofruar ndonjë kompensim financiar.
Për më tepër, ju keni mobilizuar një forcë të aftë për të depërtuar në shtëpi. Një punonjës islamik ndoshta u flet njerëzve në xhami, në qendra islame ose në sheshe publike. Mirëpo, ai zakonisht nuk ka qasje të drejtpërdrejtë ndaj jetës private në shtëpitë e tyre. Madje edhe nëse mund të arrijë të hyjë në jetën private, ai rrallë mund ta ketë ndikimin e njëjtë që ka anëtari i shtëpisë.
I dashur lexues!
Ju jeni njëri nga elementet që përbëjnë shtëpinë tuaj bashkë me babanë, nënën, vëllezërit dhe motrat tuaja dhe ndoshta bashkëshortin, bashkëshorten ose fëmijët. Këta janë njerëzit me të cilët keni lidhje më të forta dhe marrëdhënie më të afërta. Për këtë arsye ju keni mundësi të arrini me këta njerëz atë që nuk mund ta arrini me dikë tjetër. Kështu që mos prit që të tjerët të vijnë në shtëpinë tuaj dhe të njoftohen me familjen tuaj për t’i thirrur ata në bindje ndaj Allahut në vendin tuaj.

Islami fillon në shtëpi
Falënderimi i takon Allahut që sot gjejmë njerëz që po kthehen në Islam me numër të madh. Kjo sjell gëzim në zemrat e besimtarëve. Kurdoherë që flasim për këtë ringjallje, na bën të lumtur të mendojmë se Islami është në duar të besimtarëve dhe, se si Allahu po e çon Islamin përpara në ditën dhe kohën tonë. Allahu ua shtoftë atyre udhëzimin!
Për sa i takon armiqve të Islamit, ata po flasin me nxitim si njerëz që janë tronditur nga diçka që kurrë nuk e kanë pritur. Qendrat e pushtetit në Perëndim nxjerrin rezolutë pas rezolute që theksojnë rreziqet e Ringjalljes Islame dhe rëndësinë
e kundërvënies ndaj Tij.
Ringjallja e bekuar ka shkaktuar dëshirë te shumë të rinj tanë për të parë forcimin e serishëm të Islamit. Ata dëshirojnë ta shohin atë se e ka kthyer forcën që më parë e gëzonte. Këto shpresa të çmueshme janë në të gjitha zemrat tona.
Si muslimanë, ne të gjithë jemi të njohur me këto shpresa dhe aspirata. Ne shikojmë drejt qëllimit të rindërtimit të Islamit, ngritjen e tij në tokë dhe përhapjen e tij nëpër tërë botën.
Siç thotë fjala e urtë: “Një udhëtim një mijë kilometra fillon me një hap të vetëm.” Atëherë, cili është hapi ynë i parë? Përgjigjja është se në momentin kur dikush vendos të bëj da’vet, hapi i parë është që ai të merret me shtëpinë e vet.

Rruga e sahabëve
Është pikëllim të shohim të rinj e të reja tona duke shpresuar ta ndërrojnë botën kur ata madje nuk mund ta ndërrojnë gjendjen brenda shtëpive të tyre. Si mundet që një person, i cili nuk mund ta përmbush një amanet aq të vogël, të shpresojë të bartë barrën e një amaneti aq të madh?
Sahabët si Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Selmani, Bilalli dhe Suhejbi, (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), ëndërronin që Islami të triumfonte, derisa po pësonin persekutimin më brutal në Mekë. Ata mbetën të durueshëm dhe të qëndrueshëm deri kur Allahu u dha fitore. Tërë kohën ata ishin në dijeni të faktit se fitorja fillon në shtëpi.
Nëse e shikojmë jetën e Ebu Bekrit, ne do të shohim se fëmijët e tij ishin në mes të muslimanëve. Ata i besuan të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe luftuan për Islamin. Ne duhet të kemi në mendje rolin që e luajtën bijtë dhe bijat e tij gjatë emigrimit.
Ne duhet gjithashtu të shikojmë birin e Umerit, Abdullah bin Umerin, i cili ka qenë kandidat për kalif, pas kohës së kalifëve të drejtë.
Gjithashtu duhet t’i shohim edhe fëmijët e Aliut, Hasanin dhe Husenin, për të cilët i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë se do të jenë prijësit e rinisë në xhenet.
Ne po ashtu duhet të vlerësojmë familjen e Zubejrit. Fëmijët e tij, sidomos Abdullah bin Zubejrin, të cilët u rritën me Islam dhe bën sakrifica të mëdha për fenë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sahabët tjerë. Shtëpia e çdonjërit nga ata ishte çerdhe për edukim të duhur islam. Secila nga këto çerdhe nxorën njerëz të mëdhenj, të cilët i shërbyen Islamit. Ata formuan ushtritë dhe udhëheqësit e tyre dhe Allahu ndërtoi Islamin me duart e tyre.

Kapitulli i dytë
Gjenden tri detyra themelore, të cilat duhet të zbatohen brenda çdo shtëpie
Secilën prej tyre do ta diskutojmë me radhë:

Detyra e parë:
Përmbushja e nevojave të familjes
Ne duhet t’i përmbushim nevojat familjare. Nuk duhet të mendojmë që një djalosh fetar në shtëpi, duhet të kalojë gjithë kohën e tij duke udhëtuar me vëllezër tjerë muslimanë, për të shkuar në qendra islame ose për të ndjekur ligjërata fetare ose t’ia kushtojë gjithë kohën aktiviteteve personale si të lexuarit, të recituarit e Kur’anit, dëgjimin e ligjëratave ose duke fjetur, pa bërë asgjë për familjen dhe nevojat e tyre. Atëherë, kush do t’i kryejë punët e shtëpisë? Kush do t’i çojë anëtarët e familjes në vendin ku duhet të shkojnë? Kush do t’i pres mysafirët? Kush do ta marrë familjarin tjetër nga aeroporti? A ka arsye që anëtari fetar i familjes të jetë ai që thotë: “Më falni! Nuk kam kohë, jam i zënë!” Ky djalosh fetar nuk e ka kryer rolin e tij si duhet. Si rezultat duhet të jetë dikush tjetër për ta kryer atë. Ky person tjetër mund të jetë i dobët në fe, por për shkak se kujdeset për nevojat e shtëpisë ai do të ketë ndikim më të madh në familje. Fjalëve të tij do t’ua vënë veshin dhe urdhrave të tij do t’iu binden. Mendimet e tij do të çojnë peshë. Sa i përket djaloshit fetar, fjala e tij nuk do të ketë peshë fare, meqë ai nuk bën asgjë që do t’i bënte dobi ndokujt.
Nganjëherë situata është edhe më keq. Ka raste kur njeriu fetar nuk ia lë çështjet e familjes në përgjegjësi vëllait të vet, por ia lë shërbëtorit ose shoferit. Shoferi i çon vajzat në shkollë dhe në dyqan e treg. Ky i huaj qëndron me ato në veturë ose në qendra tregtare me orë të tëra. Ky është njëri prej gabimeve më të mëdha në të cilat bien disa nga njerëzit fetar.
Shërbimi ndaj anëtarëve të familjes është mënyra më e mirë për të ndikuar te ta. Një djalosh fetar duhet ta ruajë familjen prej largimit të panevojshëm nga shtëpia. Ai vetë duhet të kujdeset për nevojat e tyre. Ai duhet të dalë në treg për ta. Ai fare nuk do të mund t’i pengojë gratë nga dalja në treg, nëse nuk del në vend të tyre, duke u arsyetuar së është i zënë. Shtëpia e tij nuk është hotel ku duhet të flejë, ha dhe pi. Përfundimisht nuk është vend për të mos bërë asgjë tjetër, pos të veprojë si perandor duke urdhëruar tjerët dhe duke u vënë ndalesa pa u siguruar alternativa.
Nëse dëshironi që të tjerët t’ju dëgjojnë, atëherë ju duhet të gjeni pak kohë dhe të bëni përpjekje për të qenë të siguruar se nevojat e familjes po përmbushen. Duhet të gjeni kohë për t’i blerë gjërat që ju duhen dhe për t’i çuar atje ku kanë nevojë.
Fjalët e njëjta mund t’i themi për motrat tona të devotshme, pasi që disa nga motrat e reja fetare, nuk po i kryejnë punët e shtëpisë që kërkohen nga ato.
Mundet që një motër të arsyetohet se nuk ka kohë për t’i bërë punët e shtëpisë për shkak se po lexon Kur’an ose po dëgjon një ligjëratë në kasetë. Atëherë, e pyet veten se si mund të ketë ndikim pozitiv në anëtarët tjerë të familjes së saj dhe t’i jap fund sjelljeve të liga që ata i shfaqin?
Për të qenë të aftë që ta luftoni sjelljen e keqe të anëtarëve, e cila zhvillohet në shtëpi, së pari duhet të ndërtoni pozitën tuaj brenda familjes, duke u shërbyer atyre dhe duke ua plotësuar nevojat. Mos e bëni veten të padukshëm! Bëni që prezenca juaj të ndihet duke u ndihmuar të tjerëve! Disa nga të rinjtë tanë fetarë në një farë mënyre ikin nga shtëpitë e tyre në momentin kur përqendrohen në fe. Ata e ndiejnë se nuk mund ta përballojnë qëndrimin në shtëpi, sepse ajo është e rrethuar me mëkate.
Disa prej tyre mendojnë se ata mund të ikin duke bërë xhihad. Ata shpesh nuk ua vënë veshin rregullave ligjore islame lidhur me një vendim të tillë serioz, i cili lehtë mund të rezultojë në vdekje. Disa të rinj thjesht e pranojnë se dëshirojnë të bëjnë vetëvrasje dhe e shohin xhihadin si një mënyrë të ligjshme islame për të vepruar ashtu.
Të tjerët kërkojnë të arratisen, për të studiuar ose thjesht për t’u shpërngulur nga shtëpia. Shpesh vërejmë shenja të qarta në sjelljen e tyre që na jep të kuptojmë se ata thjesht po arratisen nga shtëpia. Disa prej tyre e lënë shtëpinë pa lejen e prindërve të tyre. Ata harrojnë se kur një njeri e pyeti Muhammedin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) nëse kishte mundësi të shkojë në xhihad, i Dërguari menjëherë e pyeti se a i kishte gjallë prindërit. Kur ai u përgjigj se ata ishin gjallë, i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i tha: “Xhihadi juaj është kujdesi për prindërit”.[5] Ata po ashtu harrojnë se kur një i ri tjetër iu afrua të Dërguarit për t’i kërkuar leje që të shkojë në xhihad, i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) e pyeti se a e kishte nënën gjallë. Kur e mori vesh se ajo ishte gjallë, ai i tha: “Mjerë për ty! Kujdesu për të, do ta fitosh xhenetin!”[6] Kështu që nëse dëshirojmë xhenetin, mënyra më e shpejtë për
të arritura atje është nderimi i nënave tona.
Gjatë sundimit të Umer bin Hattabit, një djalosh i quajtur Kulab shkoi për xhihad në Siri me ushtrinë e Jezid bin Ebu Sufjan. Babai i djalit vajti te Umeri dhe i tregoi atij me vargje poetike se si djali i tij e kishte braktisur babanë dhe nënën. Umeri e pyeti se për çfarë po bëhej fjalë. Plaku iu përgjigj se djali i tij ishte nisur për në Siri dhe i kishte braktisur dy prindërit e tij të moshuar. Me të dëgjuar këtë, Umeri filloi të qajë dhe shpejt i shkroi Jezidit duke e urdhëruar që ta kthejë të riun me të gjitha plaçkat e tij tek Umeri.
Djaloshi kur arriti, Umeri e pyeti: “Ju jeni Kulabi?” Pastaj i tha: “Shko te prindërit tuaj, nderoji ata dhe qëndro me ta derisa të vdesin.”
Edhe pse xhihadi është nga veprat më të ndershme në Islam, kërkohet leja e prindërve. Pa këtë leje, është e ndaluar të shkohet, përveç në raste kur xhihadi bëhet obligim për çdo individ.
Nganjëherë një person nuk mund t’ia del me thirrjen në Islam të familjes së tij. Një person i tillë nuk do të mund të angazhohet në da’vet ose përpjekje larg nga shtëpia. Si mundet një person, i cili nuk mund t’u bëjë ballë detyrave në shtëpinë e vet, të mendojë se mund të marr përsipër detyra, që do të ndikojnë në Umetin Islam?
Detyra e tij e parë është që të bëjë vend duke i kryer obligimet e tij ndaj familjes. Ai duhet të përpiqet të qëndrojë në shtëpi, pa marrë parasysh se çfarë rrethanash janë krijuar dhe të bëjë atë që ka mundësi për t’i rregulluar gjërat.

Detyra e dytë:
Edukimi, udhëzimi dhe udhëheqja
Farefisi më i afërt i personit është brenga primare dhe ata janë të parët, të cilët duhet të trajtohen mirë nga ai. Nuk ka dyshim se thirrja e tyre në atë që është e drejtë është pjesë e këtij trajtimi të mirë që duhet t’u bëjmë.
Allahu duke iu drejtuar i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë: “Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit tënd më të afërt.” (Shuaraë, 214)
Pasi i zbriti ky ajet të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), ai e mblodhi farefisin e tij dhe u tha: “O kurejshitë! Shpëtoni veten nga zjarri, sepse unë nuk mund të bëj asgjë për ju tek Allahu. O Ebu Abdumenaf! Unë nuk mund të bëj asgjë për ju tek Allahu. O Safie, halla e të Dërguarit të Allahut! Unë nuk mund të bëj asgjë për ju tek Allahu. O Fatime, bija e Muhammedit! Shpëtoje veten nga zjarri, sepse unë nuk mund të bëj asgjë për ju tek Allahu. Më kërkoni nga pasuria çfarë dëshironi, por unë nuk mund të bëj asgjë për ju tek Allahu!”[7]
Farefisi juaj i ngushtë kanë më shumë të drejtë për t’u thirrur në bindje ndaj Allahut se sa të tjerët. Është gabim t’i thërrasësh të tjerët në Islam, ndërsa familjen tënde ta lësh në devijim e në mëkate. Ju duhet t’i filloni përpjekjet në shtëpi dhe t’u tregoni rrugën e drejtë anëtarëve të familjes. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë.

Mënyra e parë është arsimimi. Ju duhet të filloni me një hallkë të dijes në shtëpi. Kjo është në pajtim me Sunetin. Një ditë gratë shkuan te i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe i thanë: “Burrat po ju marrin gjithë kohën. Na jep një ditë për të na mësuar!” Ai u premtoi atyre se do të veprojë ashtu. Njëherë gjatë ligjëratës ai i këshilloi ato duke u thënë: “Nëse një grua ka tre fëmijë dhe të gjithë i vdesin, ata do të jenë mburojë në mes saj dhe zjarrit.” Një grua pyeti: Nëse është e njëjtë për edhe dy fëmijë, dhe ai i tha: “Dy gjithashtu.”[8] Në një transmetim tjetër, përmendet se një grua tjetër foli dhe pyeti: “Po për një fëmijë?” Kësaj iu përgjigj i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) duke thënë: “Madje edhe një.”[9]
Ne mund të kuptojmë nga ky hadith se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) caktoi një ditë të veçantë ku do t’i mësonte gratë. Buhariu e vendosi këtë hadith nën kapitullin “A duhet t’u caktohet grave një ditë e veçantë për ligjërim?” Ne gjithashtu duhet të kemi parasysh faktin se kur i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) u foli grave, ai i informoi mbi çështjet që kishin nevojë të dëgjonin. Si rrjedhim, ne duhet të përpiqemi për t’u dhënë anëtarëve të familjes udhëzime që u përkasin nevojave të tyre.

Disa hapa praktik që mund të merren:
Bëni një bibliotekë të vogël në shtëpinë tuaj që përmban libra dhe artikuj, të cilat u drejtohen nevojave të burrave, grave dhe fëmijëve në familjen tuaj. Ju gjithashtu duhet të keni disa libra tregimesh me tematika islame për fëmijë. Ju duhet t’i merrni disa libra të historisë islame dhe disa punime interesante. Ju duhet të organizoni librarinë mirë dhe duhet të jetë e kapshme nga anëtarët e ndryshëm të familjes, kështu që ata do ta përdorin dhe përmes saj do të bëhen të predispozuar për pranimin e rrugës së drejtë.
Përveç bibliotekës me libra ju duhet të siguroni një bibliotekë të vogël me kaseta që përmban ligjërata të incizuara, ilahi, Kur’an dhe lutje për të gjithë anëtarët e shtëpisë. Duhet të ketë ligjërata që kanë të bëjnë me ligjet islame dhe me kryerjen e adhurimeve dhe disa që kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështjen e gruas. Ju gjithashtu duhet të bëni një program për t’i ndihmuar anëtarët e shtëpisë të përfitojnë nga këto dy biblioteka.
Është e domosdoshme që çdonjëri nga ne të mbajë një orë fetare në shtëpi, së paku një herë në javë, për të gjithë familjen. Ajo duhet të përfshijë mësimin përmendësh të Kur’anit, të disa haditheve, një sesion pyetje e përgjigje, udhëzime se si duhet të kryhen aktet e adhurimit me saktësi dhe diçka për t’i zbutur zemrat. Në këtë mënyrë ju do të keni ndikim në familje dhe do t’u mësoni atë që kanë nevojë.

Një mënyrë tjetër është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Ne duhet ta bëjmë atë ashtu si ka vepruar i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).
Njëherë i Dërguari kaloi pranë një gruaje, e cila po qante mbi një varr. Ai i tha asaj: “Ke frikë Allahun dhe bëhu durimtare.” Ajo, duke mos kuptuar se kush i foli, iu përgjigj: “Më ler rehat. Ju nuk jeni goditur me atë që më ka ndodhur mua dhe ju nuk e keni njohur këtë njeri!” Kur i treguan se njeriu që e këshilloi ishte vetë i Dërguari, ajo shkoi te dera e të Dërguarit dhe gjeti se askush nuk e ruante derën. Ajo e pa të Dërguarin dhe i tha: “Unë nuk e dita se ju ishit.” Ai iu përgjigj: “Koha për durim është në fillim të fatkeqësisë.”[10]
Këtu i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) së pari e urdhëroi në të mirë duke e thirrur të jetë e durueshme dhe t’i frikësohej Allahut. Pastaj, ai iu përgjigj asaj duke e informuar se duhet të jetë e durueshme në fillim të fatkeqësisë. Kjo është mënyra se si i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i mësoi sahabët të urdhërojnë në të mirë dhe të ndalojnë nga të këqijat. Kurdo që ai e shihte një të keqe, ai do ta nxirrte në pah atë në mënyrë të butë dhe do t’ua përkujtonte Allahun.
Kjo nuk është një kohë për të shfaqur fuqinë dhe autoritetin tuaj, por është koha për të urdhëruar në të mirë dhe për të ndaluar nga të këqijat në të njëjtën kohë, për t’i përkujtuar për Allahun. Nga ne kërkohet t’i ngjallim zemrat e njerëzve në familje dhe të mbjellim në zemrat e tyre frikën dhe dashurinë ndaj Allahut dhe një dëshirë për të kënaqur Atë dhe për të fituar xhenetin. Kjo kërkon nga ne një qasje që do të mbjell besim në zemra.

Detyra e tret
ë

Mbikëqyrja dhe monitorimi i çështjeve të familjes
Kjo detyrë vjen pas dy detyrave tjera. Është shkallë të cilën ju dhe familja juaj duhet ta arrini. Megjithatë, kur arrihet kjo shkallë, ju duhet të keni mundësi të monitoroni çështjet e familjes suaj dhe t’i merrni në llogari për gabimet e tyre. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) e përmbushi këtë detyrë shumë bukur. Abdullah bin Amar transmeton: “Ne ishim me të Dërguarin e Allahut kur ai e vërejti një vajzë, të cilën nga largësia nuk mund ta njihte. Kur ne iu afruam asaj, doli se ishte vajza e tij, Fatimja. Ai e pyeti atë: “Fatime, çfarë ju bëri të dilni nga shtëpia?”
Ajo tha: “Erdha ta vizitoj familjen e të ndjerit që të mund t’i ngushëlloja.”
Ai e pyeti: “Mos shkove te varrezat me ta?”
Ajo u përgjigj: “Allahu më ruajt prej veprimit të asaj pune, pasi ju kam dëgjuar se çfarë keni thënë për një punë të tillë!”
Ai i tha asaj: “Nëse do shkonit te varrezat me ta, nuk do ta shihnit xhenetin siç nuk e ka parë stërgjyshi juaj.”[11]
Natyrisht se stërgjyshi i saj ishte jobesimtar. Ajo që na intereson këtu është interesimi i të Dërguarit që ta dijë se pse ka dal ajo nga shtëpia.
Njëherë i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) shkoi në shtëpinë e Fatimes dhe nuk e gjeti Aliun në shtëpi, kështu që e pyeti se ku ishte ai. Ajo iu përgjigj: “Ne patëm një mospajtim dhe ai më zemëroi, kështu që ai doli dhe nuk e bëri pushimin e mesditës në shtëpi.” I Dërguari i Allahut e porositi dikë që ta gjejë Aliun. Njeriu u kthye dhe e informoi se Aliu ishte në xhami duke pushuar. I Dërguari i Allahut shkoi te xhamia dhe e gjeti Aliun të shtrirë. Palltoja i kishte rrëshqitur nga supet dhe ishte bërë me dhe. I Dërguari filloi t’ia heq pluhurin dhe i tha: “Ngrihu, o Ebu Turab (Zotëri i dheut)!” Nga ajo ditë, Aliu ishte shumë krenar për atë ofiq (arabisht: kunje), sepse i Dërguari ia kishte lënë.[12]
Aishja transmeton: “Kur më erdhi radha ta kaloja natën me të Dërguarin e Allahut, ai erdhi në dhomë, hoqi pallton dhe i zbathi këpucët, të cilat i vuri pranë këmbëve të tij. Ai shtriu mbulesën në shtrat dhe u shtri në të duke qëndruar ashtu deri sa mendoi se më kishte marrë gjumi. Pastaj, ai e hapi derën dhe doli duke e mbyllur atë lehtë. Unë e mbulova kokën, vura mbulesën, rregullova rrobat dhe dola për të shkuar hapave të tij deri sa ai arriti në varreza. Ai qëndroi atje për një kohë të gjatë. I ngriti duart tri herë. Pastaj, kur ai u largua, u largova edhe unë. Ai ecte shpejt, edhe unë ecja shpejt. Ai filloi të vrapojë, edhe unë fillova të vrapoj. Unë arrita të kthehem në shtëpi para tij dhe u shtriva në shtrat. Ai hyri brenda dhe më pyeti: “Pse o Ajshe ke mbetur pa frymë?” I thashë: “Asgjë s’ka ndodhur.”
Ai tha: “Më trego ose Njohësi i hollësive do të më informojë.”
Unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut, flijofsha babën dhe nënë për ty”. Dhe i tregova gjithë ngjarjen.
Ai më pyeti: “A ju ishit figura e errët që e shihja para meje?”
Unë thashë: “Po.”
Ai më qëlloi në gjoks që më shkaktoi pak angështi dhe më tha: “A menduat se Allahu dhe i Dërguari i Tij do të veprojnë padrejtësisht me juve.”
Unë i thashë: “Çfarëdo që njerëzit e fshehin Allahu e di atë.”
Ai tha: “Xhibrili më erdhi kur ju më pat mua. Ai më thirri mua dhe e fshehu veten nga ju. Unë iu përgjigja thirrjes së tij, por unë e fsheha atë nga ju. Ai nuk do të hynte derisa ju nuk ishit krejt të veshur. Unë mendova se ju kishit rënë në gjumë dhe nuk dëshirova t’ju zgjoja, duke u frikësuar se ju mund të tronditeshit. Xhibrili pastaj më tha: “Zoti juaj ju ka urdhëruar të shkoni te banorët e varrezave dhe të kërkoni falje për ta.”[13]
Ne duhet t’i shqyrtojmë të gjitha pyetjet që i Dërguari i Allahut ia bëri Aishes. Pastaj, ai e informoi atë se ajo çfarë brengosej kurrë nuk mund të ndodhte dhe i tregoi arsyen e largimit dhe punën që e kishte bërë. Aishja, (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton edhe shumë incidente tjera interesante.
Arsyeja e përmendjes së këtij tregimi është të ilustrojmë se si i Dërguari i Allahut kujdesej për veprimet e familjes së tij. Ai na urdhëroi të bëjmë të njëjtën gjë me ata që i kemi nën kujdesin tonë.

Kapitulli i tretë
Sot shtëpia përshkohet nga ndikime të shumta. Disa nga ato vijnë nga brenda shtëpisë, kurse të tjerat jashtë saj. Është me rëndësi të madhe që të jemi në dijeni të këtyre ndikimeve. Le t’i shikojmë disa prej tyre.

Shkolla
Shtëpia nuk është vend i vetëm ku bijat tona edukohen. Gjendet një institucion tjetër që ka hise në këtë. Shkolla ka një ndikim të dukshëm. Ne duhet ta pyesim veten se çfarë efekti kanë shkollat në bijat tona.
Ne mund t’i përgjigjemi kësaj pyetje vetëm nëse i hapim sytë dhe shikojmë se çfarë po sjellin bijat në shtëpi nga shkolla. A vijnë ato me diturinë e saktë, sjelljet e mira dhe frikërespekt për Allahun apo zhduken këto cilësi për çdo ditë?
Është gabim që ne t’i vëmë fëmijët tanë në çfarëdo shkolle dhe pastaj t’i themi vetes se ata janë në duar të sigurta. Është më mirë të sigurohemi se a me të vërtetë po i vendosim në duar të sigurta. Madje edhe kur kemi besim se shkolla është e mirë, ne nuk duhet të harrojmë rolin që duhet ta luajmë në shkollë.

Shokët
Bijat tona pashmangshëm do të kenë një grup të shoqeve me të cilat shoqërohen në shkollë ose diku tjetër. Ato shpesh formojnë lidhje të ngushta me njëra-tjetrën dhe kalojnë shumë kohë bashkë. Ndoshta këto shoqe janë të mira, por edhe nëse është kështu ne duhet të jemi të kujdesshëm se mos po drejtohen nga një vajzë, e cila është më pak e virtytshme dhe që mund t’i llastojë shumicën.
Ka tregime të tmerrshme, të cilat mund t’ju tregoj, por ju e keni të vështirë t’i besoni. Këto tregime nuk kanë të bëjnë me vajzat në shkollat e larta, por me ato të shkollave të mesme. Vajzat në këtë moshë janë shumë mendjelehta dhe të ndikuara. Zemrat e tyre janë pastra në thelb. Megjithatë, në mes tyre mund të qëllojë një vajzë, e cila është e keqe, por ka personalitet të fortë. Një vajzë e tillë mund t’i devijojë shumë të tjera.
Të njëjtat fjalë mund t’i themi edhe për djemtë. Shokët janë prej ndikuesve më të mëdhenj që fëmijët kanë dhe është detyrë e prindërve t’i përcjellin fëmijët se më kë po shoqërohen. Prindërit, pra duhet ta dinë se kush janë shokët e fëmijëve të tyre.

Telefoni
Ky është një kërcënim i rëndë brenda shtëpisë. Rrallë ka një shtëpi ose dhomë pa telefon në kohën tonë.
Shumë njerëz, të cilët nuk i kanë frikë Allahut e përdorin telefonin për qëllime të ndyta. Gati çdo krim që kryhet në shoqërinë tonë mbështetet në një telefonatë një kohë para kryerjes së krimit.
Nganjëherë fillon si lojë ose si mjet për ta humbur kohën. Kjo shpie në një takim dhe pastaj në gjëra më të pista. Kështu kalohet nga një punë e keqe në një më të keqe.
Para shumë kohe një poet ka shkruar:
Një shikim, një buzëqeshje, një përshëndetje shoqërore,
Pak biseda, një takim, pastaj…
Si rrjedhim ne duhet të mbjellim në fëmijët cilësi të cilat do t’i fortifikojnë nga këto rreziqe. Ne duhet t’i mësojmë që t’i shmangen shfrytëzimit të kotë të kohës dhe sjelljes së ligë. Nëse ne prindërit jemi indiferentë në këtë çështje, atëherë kemi shkelur amanetin që na është dhënë. Njeriu është bari për shtëpinë dhe familjen e tij. Ai është bari për kopenë e tij.

Tregu
Tregu ë
shtë një vend i hapur ku përzihen të gjitha kategoritë e njerëzve. Disa vijnë aty për të blerë, disa për të shitur dhe disa të tjerë vijnë për qëllime tjera. Në këtë vend vajzat u ekspozohen fjalëve provokuese dhe keqpërdorimeve. Atje gratë shkëmbejnë shikime dhe gjithashtu ndonjë fjalë të ndytë. Paramendoje se sa e rrezikshme është një situatë e tillë. Paramendoje se në çfarë joshje po ekspozohen vajzat. Një bari, i cili e lë të lirë kopenë e tij në hapësirë të hapur dhe pastaj kotet, mund të pres që ujqit t’ia hanë delet.

Përfundimi
Gjithë atë që e thamë na sjell deri te një përfundim i pashmangshëm se shtëpia ka rëndësi të madhe. Nëse ne kemi sukses t’i bëjmë burrat dhe gratë punonjës islamik në shtëpi, ne do të arrijmë shumë. Ne do të kemi mundësi të depërtojmë në çdo shtëpi dhe do të kemi ndikim pozitiv në çdo anëtarë të gjeneratës tonë.
Ka shumë mënyra për të bërë reforma në shtëpi:
-Duke krijuar pozitë në shtëpi përmes ofrimit të shërbimeve për familjen.
-Duke përdorur metoda të ndryshme të arsimimit, mësimit dhe udhëzimit brenda shtëpisë.
-Duke i mbikëqyrur anëtarët e familjes. Vendosja e tyre nën mbrojtjen dhe kujdesin tonë pa u bërë të dyshimtë, të lodhshëm e të padurueshëm.
Ne lusim Allahun që ky punim t’i ndihmojë njerëzit në kryerjen e roleve të tyre në shtëpi. Qëllimi i shkrimit të këtij punimi është që t’i nxitë vëllezërit dhe motrat që ta vënë në praktikë atë që shkruhet. Sot ka shumë ndikime negative që rrethojnë shtëpitë tona dhe ato tani po veprojnë brenda familjeve tona.
Zëri i këngëtarit që dëgjohet në shtëpitë tona, valltarit, spikerit, kasetës, libri, volumi i poezive, piktura dhe revista janë të gjitha pjesë të këtij komploti për të ndikuar në ne. Askush nga ne s’është i sigurt nga pasojat e tyre, përveç atë që Allahu e ka ruajtur.
Ne lusim Allahun që të na jap sukses në reformimin e familjeve tona dhe në përmbushjen e amanetit që Allahu na e ka ngarkuar. Allahu i di çështjet tona më së miri!
Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi Shërbëtorin dhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu nga anglishtja: Driton Maxhuni
Redaktor fetar: Bahri Curri
Redaktor gjuhësor: Avni Avdiu
Titulli në origjinal: “Islamic Work at Home”
Autor: Selman el-Avde
Marrë nga: www.islamtoday.com


[1] Sahihu i Buhariut (6392), dhe Sahihu i Muslimit (4013).
[2] Sahihu i Buhariut (5556), dhe Sahihu i Muslimit (2757).
[3] Sahihu i Buahriut (414, 1114), dhe Sahihu i Muslimit (1296).
[4] Sahihu i Buhariut (689), dhe Sahihu i Muslimit (1301).
[5] Sahihu i Buhariut (2728), dhe Sahihu i Muslimit (4623).
[6] Suneni i Ibën Maxhes (2771), hadithi është i saktë.
[7] Sahihu i Buhariut (2548), dhe Sahihu i Muslimit (305).
[8] Sahihul Buhariu (99). Sahihul Muslim (4768).
[9] Taberaniu (2489).
[10] Sahihu i Buhariut (1203).
[11] Suneni i Nesaiut (1857), Suneni i Ebu Davudit (2716), dhe Musnedi i Ahmedit (6286).
[12] Sahihu i Buhariut (422), dhe Sahihu i Muslimit (4426).
[13] Sahihu i Muslimit (1619).

Artikulli paraprakUshtria kineze, në krye të spiunazhit elektronik
Artikulli vijuesDA’VETI NË SHTËPI