Davutoglu, shqiptarëve: Ne do ju mbështesim deri në kiamet

Turqia garanton kombin shqiptar për mbështetje e përkrahje të përhershme, të cilën ministri i saj Jashtëm, Ahmet Davutoglu preferon ta cilësojë ndryshe: “deri kur të ndodhë kiameti”.

I pranishëm në Shkup, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, ai e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, me ç’rast bashkërisht falën edhe namazin e xhumasë në xhaminë e Mustafa Pashës, raporton Gazeta Shqiptare. Për Davutoglu marrëdhëniet e ngushta me shqiptarët vijnë për shkak se turqit i konsiderojnë ata si pjesë e trupit të përbashkët.

“Të gjithë juve ju konsiderojmë si një trup, kur dëgjojmë lajme të mira edhe ne gëzohemi dhe ndjehemi të qetë, në rast se ju dëmtoheni atëherë ndjejmë shqetësim.

Neve do të na keni mbështetje deri në kiamet”, – deklaroi shefi i diplomacisë turke. Nga ana tjetër kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi pas shprehjes së mirëseardhjes theksoi se Turqia si shtet i madh dhe i zhvilluar tregon interesim të madh për tërë Ballkanin e posaçërisht për Maqedoninë në të gjitha sferat e veçanërisht në aspektin fetar.

Duke e falënderuar ministrin Davutoglu për vizitën që realizoi, ai vuri në dukje se Turqia ka qenë gjithnjë pranë myslimanëve shqiptarë. “Ai para opinionit dëshmoi se në mesin tonë kemi figurën më të shquar të diplomacisë botërore, personalitetin më të dashur të botës islame i cili në vazhdimësi përkujdeset për fatin dhe çështjen e popullit mysliman gjithandej ku jetojnë, duke e lutur Allahun që ta bekon”, – u shpreh Rexhepi.

Davutoglu gjithashtu nuk nguroi mandej ta vlerësojë kreun e BFIM-së për kontributin e dhënë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame. “Ju falenderoj për kontributin e dhënë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame, nga fakti se çdo monument kulturo-historik që ruhet na përkujton paraardhësit tanë”, – u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë. Mandej ai iu përcolli besimtarëve myslimanë të Maqedonisë përshëndetjet e Presidentit, Abdullah Gul, kryeministrit Rexhep Taip Erdogan dhe mbarë myslimanë të Turqisë.kohaislame

Artikulli paraprakKaos dhe krizë politike në Maqedoni
Artikulli vijuesObama: Kerry ka respekt në mbarë botën