Debate për KQZ, PD: Opozita ka bllokuar procesin, kërkon pazare

TIRANE – Seanca e sotme e Kuvendit nisi me debate rreth zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të ri të KQZ-së. Mazhoranca akuzon opozitën për bllokimin e procesit, ndërsa socialistët kërkojnë miratimin në Kuvend të kandidaturave për anëtarë të Komisionit Zgjedhor dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të ri.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi shpjegime se përse miratimi i anëtarëve të KQZ-së nuk është përfshirë në rendin e ditës. “Pse sot në seancën e parlamentit nuk përmbushet një nga detyrat e parlamentit, për të miratuar anëtarët e KQZ”- u shpreh Ruçi

Duke iu përgjigjur Ruçit, kryeparlamentarja Topalli theksoi se KQZ nuk është në rendin e ditës, pasi opozita ka bllokuar procedurën për zgjedhjen e kryetarit në Komisionin e Ligjeve. Topalli u bëri thirrje deputetëve socialistë që të mos bllokojnë proceset, por të votojnë kërkesat e Brukselit.

“Votoni ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, për Gjykatën e Lartë dhe Nëpunësin Civil, bëni detyrën në Komisionin e Ligjeve dhe ejani të votojmë kreun e KQZ. Mos bllokoni.”- deklaroi Topalli.

Patozi-opozitës: zgjedhjet nuk fitohen me KQZ, por me qytetarët
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi akuzoi opozitën se ka zgjedhur bllokimin dhe pazaret edhe për çështjen e KQZ-së.

“Fryma e kodit kërkon konsensus dhe ne kemi pritur konsensusin. I kam kërkuar zotit Ruçi që ne t’i paraqesim njëri-tjetrit kandidaturat, por zoti Ruçi kërkoi kohë. Zgjedhjet nuk fitohen as me kodin elektoral as me anëtarët e KQZ-së, por zgjedhjet fitohen me qytetarët.”- u shpreh Patozi.bw/kohaislame

Artikulli paraprakIncidenti me flamurin shqiptar, Greqia kërkon ndjesë
Artikulli vijuesTurqia ka goditur për herë të dytë objektivat siriane