Në deklaratë, Abdrahmanov theksoi se palët janë të përkushtuara për integritetin territorial, unitetin, pavarësinë dhe sovranitetin e Sirisë
Takimi për zgjidhjen e çështjes së Sirisë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ka përfunduar me deklaratën e përbashkët që u lexua nga ministri i Jashtëm i shtetit nikoqir Kazrat Abdrahmanov. Abdrahmanov njoftoi se Turqia, Rusia dhe Irani kanë marrë vendimin për krijimin e një mekanizmi të përbashkët që synon mbikëqyrjen e armëpushimit në Siri, raporton (AA).
Në deklaratë, Abdrahmanov theksoi se palët janë të përkushtuara për integritetin territorial, unitetin, pavarësinë dhe sovranitetin e Sirisë.
Duke potencuar se kriza mund të zgjidhet vetë përmes një procesi politik në të cilin zbatohet në tërësi Rezoluta 2254 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së), Abdrahmanov tha se do të përpiqen të fuqizojnë mbarëvajtjen e armëpushimit, të kontribuojnë në reduktimin deri në minimale të shkeljeve, të hapin shpejt dhe pa probleme rrugën për qasjen humanitare në përputhje me rezolutën 2165 të KS të OKB-së dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve në Siri dhe lëvizjen e tyre të lirë.
Ai më tej tha se kanë marrë vendimin për krijimin e një mekanizmi trepalësh që synon mbikëqyrjen dhe respektimin e plotë të armëpushimit, parandalimin e provokimeve dhe caktimin e të gjitha kushteve të armëpushimit.
Siç theksoi Abdrahmanov, palët kanë përsëritur vendosmërinë e tyre për të luftuar bashkarisht kundër organizatave terroriste DEASH dhe Frontit Al-Nusra dhe për t’i ndarë grupet opozitare nga këto organizata. Ai theksoi nevojën për rritjen e menjëhershme të përpjekjeve për rifillimin e procesit të negociatave në përputhje me rezolutën 2254 të KS të OKB-së.
Po ashtu, Abdrahmanov u shpreh se palët kanë kërkuar që në takimet e parapara që do të mbahen në Gjenevë më 8 shkurt të vitit 2017 mes regjimit të Asadit dhe opozitës nën patronazhin e OKB-së, të marrin pjesë përfaqësuesit e grupeve të armatosura opozitare.
Abdrahmanov i bëri thirrje komunitetit ndëkombëtar ta mbështesë procesin politik për hedhjen e menjëhershme të të gjitha hapave që janë në përputhje me Rezolutën 2254 të KS të OKB-së, duke theksuar më tej se kanë marrë vendimin që në platformën e Astanas të realizojnë bashkëpunime aktive për procesin e zgjidhjes politike.
Gjatë shpalljes së deklaratës nga Abdrahmanov, të pranishëm ishin edhe delegacioni i Turqisë, Rusisë dhe Iranit. Delegacioni i Turqisë u kryesua nga zv/sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Sedat Önal.