Deklaratë për parandalimin e vdekshmërisë së fëmijëve

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Ferid Agani ka përmbyllur vizitën e tij një javore në SHBA, në kuadër të së cilës mori pjesë në forumin “Mbijetesa e Fëmijëve – Ftesë për Veprim”, të organizuar nga USAID, UNICEF, OBSH dhe të sponsoruar nga Qeveria Amerikane, Qeveria e Indisë dhe Qeveria e Etiopisë.

Ky takim mblodhi ministrat e shëndetësisë të mbi 80 shteteve të botës, të cilët nënshkruan Deklaratën “Zotimi për mbijetesë të fëmijëve: Premtim i ripërtërirë”.

Deklarata ripërsërit zotimin e shteteve që të përkrahin lëvizjen globale për të ndalur vdekjet e fëmijëve nga shkaqet që mund të parandalohen.

Ministrat e mbi 80 shteteve u zotuan se përmes veprimeve në nivel kombëtar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, do të veprojnë për të përshpejtuar progresin e arritur për mbijetesën e foshnjave, fëmijëve dhe grave dhe për t`i ofruar të gjithë fëmijëve fillimin më të mire të mundshëm të jetës.

Gjatë kësaj vizite në SHBA, ministri Agani u takua me zyrtaren e lartë të USAID-it, Paige Alexander, me ç’rast falënderoi USAID-in, Qeverinë e SHBA-ve dhe popullin amerikan për përkrahjen e madhe dhe te vazhdueshme për popullin e Kosovës dhe veçanërisht për përkrahjen e shëndetësisë Kosovës. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakJakup Krasniqi nisi vizitën në SHBA
Artikulli vijuesU gjet trupi i fundosur në Batllavë