Pas Dashamir Tahirit e Shkëlqim Selamit, një tjetër deputet i maxhorancës rrezikon të humbasë mandatin. Nga hetimet e prokurorisë së përgjithshme rezulton të jetë i dënuar nga drejtësia italiane.
Burime të besuara nga prokuroria thanë për ‘News24’, se deputeti ndaj të cilit po zhvillohen hetime nga sektori i Dekriminalizimit, është zgjedhur nga radhët e një prej partive në koalicion me Partinë Socialiste që qeveris vendin prej 2013.
Nga informacionet paraprake rezulton se ai është dënuar në Itali, për akuzën e trafikut të drogës dhe çështje që lidhen me prostitucionin. Zyrtarisht e kontaktuar nga ‘News24’ zyra e shtypit pranë prokurorit të Përgjithshëm, nuk pranoi të bënte komente lidhur me këtë çështje, me argumentin se veprimet në këtë fazë kanë karakter sekret.
Por burime të tjera, pranuan faktin se verifikimet qe po kryhen janë në një fazë të thelluar, pasi informacionet e siguruara deri në këtë moment, duket se e kanë bindur prokurorinë të ndërmarrë hapa te mëtejshëm.
Burimet thanë se është vetëm çështje kohe dhe se prokuroria do të finalizojë procesin e verifikimit, për të nisur njëherazi hetimet ndaj deputetit në fjale për akuzën e falsifikimit të formularëve, pasi dyshimet se ka fshehur rekordet kriminale në vendet e BE-së, janë të forta.
Në dhjetor të 2016, Prokuroria e Përgjithshme përmbylli fazën e verifikimeve për Dashamir Tahirin e PDIU dhe Shkëlqim Selamin e LSI, dhe i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tu ndërprerë mandatin. Tahiri e Selami të cilët u zhveshën nga mandati, i janë drejtuar gjykatës Administrative, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të KQZ.
Ndërkohe, ‘News24’ verifikoi formularin e dekriminalizimit të plotësuar nga vete deputeti në fjalë dhe që është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga ku rezulton se ai nuk ka pranuar të jetë ndaluar, shoqëruar, hetuar apo dënuar nga ndonjë autoritet i huaj, ndonëse pranon se ka jetuar ne Itali për një kohe relativisht të gjatë.