Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mbetet optimist se tërheqja e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi dhe shtyrja e ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje nuk do të ketë ndikim negativ në procesin e liberalizimit të vizave.
Ai ka thënë për “Zërin” se kjo varet tërësisht nga institucionet e Bashkimit Evropian, por, sipas tij, BE-ja duhet ta kuptojë situatën në Kosovë.
“Varet në masë të madhe se si BE-ja e vlerëson situatën. Tani jemi në momente të reflektimit dhe nuk duhet të spekulojmë se si do të rrjedhin gjërat, por unë shpresoj që të mos kemi shtyrje e bllokada, sepse do të ishin të panevojshme dhe nuk do të ishin në dobi të askujt.
Besoj se institucionet e BE-së duhet të kenë një qasje të mirëkuptimit dhe të përshtatjes me situatën aktuale dhe në këtë drejtim të mos kenë vetëm qasjen e presionit, sepse nëse kësaj situate i duhet diçka, ajo është ulja e tensionit”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas Çollakut, qytetarët e Kosovës nuk meritojnë dënim nëpërmjet liberalizimit, shkaku i shtyrjes së ratifikimit të Demarkacionit.