Dy ose tre muaj duhet që Marrëveshja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të trajtohet nga deputetët e Kuvendit. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Indeksonline”, deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi.
Sipas tij, Qeveria dhe një pjesë e Parlamentit nuk kanë ditur ta menaxhojnë këtë procese. Më tej, Rexhepi thotë se është dashur të ketë një koncenzus para se të nënshkruhej marrëveshja e vijës kufitare me shtetin fqinj.
“Mendojë se gjërat të trajtohen arsyeshme, në Parlament të zhvillohet debati një ditë, dy javë, një apo dy muaj e jo kjo punë të kryhet për një sahat me stupc në krah ja kështu, ja hiq. As opozita e pozita s’ka nevojë me bo presion, me gjuajt gaz apo gjëra tjera. Por duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur për vendin pasi gjithë qytetarët janë të shqetësuar me situatën”, ka thënë ai.
Më tej, ish-ministri i Punëve të Brendshme tërhoqi vërejtjen se askush si deputet nuk ka kredit politik të dal dhe të kundërshtoj kur gjysma e popullatës nuk pajtohen për një version që prek direkt sovranitetin e vendit.
Deputeti Rexhepi kritik u shpreh edhe ndaj bashkëpartiakëve të tij nga LDK-ja. Ai ka thënë se askush nuk ka të drejtë që të flas në emër të tij apo ndonjë deputeti tjetër, kur bëhet fjalë për çështje të prekshme për Republikën.
“Ata që po thirren se po thonë kemi me përjashtu deputetë prej asaj apo asaj partie janë deklarata pa vend. Siç janë pa vend edhe disa deklarata të zyrtarëve të qeverisë dhe partisë time të cilët dalin çdo natë nëpër media duke folur në emër të deputetëve. Është e papranueshme, e pandershme dhe e papranueshme. Unë foli në emër të elektoratit dhe të them të drejtën”, ka thënë ai. /Indeksonline/ Alban Muhaxheri/