Dëshmitarët e vdekur “ndjekin komandantin”

Dy njerëz që e kishin denoncuar Fatmir Limajn për krime, njëri për krime lufte e tjetri për krime ekonomike, ka kohë që kanë vdekur. Njëri thuhet se ka vrarë veten, e tjetri ka vdekur në një aksident komunikacioni.
Agim Zogaj nga fshati Divjakë i Lipjanit dhe Mehmet Shkodra nga Gjilani kishin guxuar ta “drejtonin gishtin” kundër njërit prej ish-komandantëve dhe politikanëve më në zë në Kosovë, duke e akuzuar për krime të rënda, vërtetimi i mundshëm i të cilave mund ta çojë “Çelikun” në burg për shumë vjet, shkruan “Koha Ditore”.

Pak kohë pasi kishte shkuar në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit dhe në EULEX për të dhënë deklaratë kundër Limajt dhe të tjerëve, Mehmet Shkodra kishte vdekur në një aksident komunikacioni në Austri.

Aksidenti kishte ndodhur më 21 shkurt 2010 në autostradën A-21 afër Vjenës. Në autobusin që ishte goditur nga dy kamionë ndodheshin 42 udhëtarë nga Kosova, të cilët udhëtonin për në Gjermani.

Shkodra, pronar i kompanisë “Inter-Evropa”, kishte marrë sugjerime që të tërhiqte akuzat. Në mesin e atyre që i kishin dhënë kësi mesazhi ishte edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Shkodra kishte njoftuar EULEX-in për kërcënimet që kishte marrë nga dy njerëz nëpërmjet telefonit.

“Dini të shkruani shumë mirë, por do t’i pres gishtat”, shkruante në një sms. Ai ishte ndjekur edhe me një veturë të tipit “Opel Kadet”, në vitin 2012. Një muaj më vonë kishte vdekur.

Policia austriake nuk ka gjetur ndonjë provë se ka pasur ndonjë akt kriminal që lidhet me vdekjen e tij, shkruan në aktakuzën kundër Fatmir Limajt, Demir Limajt, Florim Limajt, Nexhat Krasniqit, Endrit Shalës, Florim Zukës e Gani Zogajt.

Ndërkaq, Agim Zogaj kishte vdekur në shtator të 2011 në Gjermani. Ai ishte gjetur i varur në një park. EULEX-i nuk kishte arritur ta mbronte atë, pavarësisht garancive.

Tri atentate kishte pësuar para se të dorëzohej në EULEX.

Prokurori Johannes Pickert, Fatmir Limajn e cilëson “udhëheqës të grupit kriminal”, që ka marrë 20 për qind nga tenderët. Prokuroria thotë në aktakuzë se ai u jepte tenderë atyre kompanive që tregonin vullnet për të dhënë ryshfet.

Por, si ndodhi që të dy dëshmitarët kundër Fatmir Limajt të vdesin? Tomë Gashi e mbron Limajn në cilësinë e avokatit. Ai thotë se kjo është fatkeqësi për të ndjerët dhe përjashton çdo mundësi që vdekja e tyre të ketë lidhje me klientin e tij.

Gashi vdekjen e tyre nuk dëshiron ta interpretojë në favor të Limajt, kurrsesi. /Telegrafi/

Artikulli paraprakLDK ia hap deren Jakup Krasniqit
Artikulli vijuesItali: Vdes shqiptari që u rrah brutalisht